Nga 450 deri në 1,500 euro për analiza toksikologjike jashtë vendit – Prokuroritë evidentuan raste në Shkup e Helsinki, ndërsa një mostër për profil gjenetik po trajtohet në Hagë
Mostrat që dërgohen jashtë Kosovës për analiza toksikologjike dhe ekzaminime mjeko-ligjore janë pjesë e hetimeve që synojnë të zbardhin rrethana të rëndësishme të rasteve penale. Por, për familjarët që presin përgjigje për vdekjen e një të afërmi apo për fatin e një personi të zhdukur, pritja për rezultatet mund të jetë një tjetër periudhë pasigurie.
Të dhënat e siguruara nga Prokuroria e Shtetit tregojnë se gjatë viteve 2025 dhe 2026, prokuroritë në Kosovë kanë evidentuar raste në të cilat mostrat janë dërguar jashtë vendit për analiza toksikologjike, ekzaminime mjeko-ligjore dhe analiza të profilit gjenetik.
Në përgjigjen e kthyer nga Bedri Gashi, udhëheqës i Njësisë për Komunikim Publik, bëhet e ditur se rastet e evidentuara nga prokuroritë përfshijnë institucione në Shkup të Maqedonisë së Veriut, Helsinki të Finlandës dhe Hagë të Holandës.
Sipas Prokurorisë së Shtetit, koha e pritjes për rezultatet e këtyre ekzaminimeve varion nga specifikat e secilit rast, por zakonisht zgjat nga tre deri në gjashtë muaj.
Rastet e dërguara jashtë vendit
Sipas të dhënave të Prokurorisë së Shtetit, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka evidentuar një rast më 24 janar 2025, për të cilin janë kryer analiza toksikologjike në Institutin Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie (Finnish Institute of Health and Welfare), në Helsinki të Finlandës.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka evidentuar një rast gjatë vitit 2025, për të cilin janë kryer analiza toksikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Një tjetër rast është evidentuar nga Prokuroria Themelore në Pejë më 24 prill 2026. Mostrat janë dërguar për analiza toksikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Deontologjisë Mjekësore në Shkup.
Sipas përgjigjes zyrtare, kjo prokurori i ka pranuar rezultatet e analizave më 4 qershor 2026.
Në rastin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, është evidentuar një rast gjatë vitit 2025 për kryerjen e një ekzaminimi mjeko-ligjor në Institutin Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie, në Helsinki.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka evidentuar po ashtu një rast gjatë vitit 2025, për të cilin janë kryer analiza toksikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Deontologjisë Mjekësore në Shkup.
Ndërsa në vitin 2026, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka evidentuar një rast që lidhet me ekzaminimin e profilit gjenetik të ADN-së së një personi të zhdukur.
Më 6 mars 2026, me urdhër të prokurores për Krime të Rënda, mostra është dërguar në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në Hagë të Holandës. Sipas Prokurorisë së Shtetit, rezultati përkatës ende nuk është pranuar dhe rasti vazhdon të jetë në fazën e trajtimit.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan dhe ajo në Prizren kanë bërë të ditur se nuk kanë evidentuar asnjë rast të dërgimit të mostrave jashtë vendit gjatë viteve 2025-2026.
Sa kushtuan analizat jashtë vendit?
Tabela e bashkëngjitur përgjigjes së Prokurorisë së Shtetit paraqet shpenzimet për ekspertizat jashtë vendit, institucionet ku janë kryer ato, vitin e dërgimit dhe llojin e ekspertizës.
Për vitin 2025, shpenzimet e paraqitura në tabelë arrijnë në gjithsej 3,436 euro, ndërsa për vitin 2026 janë regjistruar 354 euro.
Totali i paraqitur për të dyja vitet është 3,790 euro.
Sipas tabelës, një analizë toksikologjike e kryer në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup gjatë vitit 2025 ka kushtuar 450 euro. Një tjetër analizë toksikologjike, e kryer në Institutin Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie në Helsinki, ka kushtuar 1,500 euro, ndërsa një faturë tjetër për analiza toksikologjike në të njëjtin institucion kap vlerën e 500 eurove.
Po ashtu, tabela paraqet edhe dy ekspertiza toksikologjike të kryera në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, me vlera përkatësisht 354 euro dhe 986 euro.
Për vitin 2026, tabela përfshin një rast të dërguar në ICMP në Hagë të Holandës, për ekzaminimin e profilit gjenetik. Megjithatë, për këtë rast shënohet se është ende në fazën e trajtimit dhe nuk ka vlerë të faturës të përfshirë në totalin e paraqitur.
Këto shifra paraqesin shpenzimet e listuara në tabelën e Prokurorisë së Shtetit për ekspertizat jashtë vendit dhe nuk duhet të interpretohen si kostoja e përgjithshme e të gjitha ekzaminimeve të kryera për rastet e evidentuara.
Prokuroria: Rezultatet zakonisht priten nga tre deri në gjashtë muaj
Përtej kostos financiare, një nga çështjet që prek drejtpërdrejt familjarët dhe ecurinë e hetimeve është koha që nevojitet për pranimin e rezultateve nga institucionet jashtë vendit.
Në përgjigjen për Insajderin, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se kohëzgjatja ndryshon varësisht nga specifikat e secilit rast.
“Ju informojmë gjithashtu se kohëzgjatja e pranimit të rezultateve varion nga specifikat e rasteve, por shkon nga 3-6 muaj”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Bedri Gashi, udhëheqës i Njësisë për Komunikim Publik.
Kjo nënkupton se, në rastet kur rezultatet e ekspertizave janë të nevojshme për të sqaruar rrethana të rëndësishme të një hetimi, pritja mund të zgjasë me muaj. Për familjet që kërkojnë përgjigje për vdekjen e një të afërmi apo për fatin e një personi të zhdukur, kjo pritje mund të jetë veçanërisht e rëndë.
Sa u përket shqetësimeve të familjarëve për kohëzgjatjen e procedurave hetimore, Prokuroria e Shtetit thotë se palët dhe familjarët informohen me kohë për vonesat eventuale dhe për ndikimin e tyre në ecurinë e procedurës, varësisht nga rrethanat e rastit.
Megjithatë, përgjigjja e Prokurorisë nuk jep hollësi për secilin rast lidhur me kohën konkrete të pritjes, arsyet e vonesave përtej afatit të zakonshëm apo ndikimin që këto vonesa mund të kenë pasur në përfundimin e hetimeve.
