Kosovë Kronikë Policore Lajme

Operacioni ku përfunduan në pranga zyrtarë gjykatash e avokat, këta janë dy nga katër të arrestuarit!

Policia e Kosovës ka konfirmuar operacionin e zhvilluar të martën në rajonin e Ferizajt, ku janë arrestuar katër persona, tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj dhe Gjakovë, si dhe një avokat.

Gazeta ka mësuar se dy nga katër të arrestuarit janë Sulltan Mehmeti dhe Emin Plakaj.

Të katërtit dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Bashkëkryerje”.

Sipas Policisë, hetimet ndaj të dyshuarve kanë zgjatur për një kohë të gjatë. Ata dyshohet se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje të punësimit.

Gjatë operacionit, të realizuar në dy lokacione në rajonin e Ferizajt, janë sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuterësh dhe dokumentacion relevant për hetimet.

Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.