Kosovë Lajme Politikë

LDK: Vendosja e emrave të deputetëve tanë me ata të Listës Serbe është kërcënim politik, jemi partia e Rugovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Kuvend.

Përmes një reagimi ne Facebook, LDK tha se ndihet e kërcënuar politikisht, por thonë se nuk shantazhohen.

“Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi”, thuher mes tjerash në njoftim

Reagimi i plotë:

REAGIM I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.

Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla.

Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë.

Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi.

Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi.

LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim.

U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë.