Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Livoq të Gjilanit, ku dyshohet se një person ka vrarë gruan dhe një person tjetër, mik të tij, si dhe ka plagosur tre persona të tjerë.
IndeksOnline raporton se dyshimet e para janë se ngjarja mund të ketë ndodhur pas problemeve familjare dhe kërkesës për divorc. Megjithatë, këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Sipas informacioneve fillestare të raportuara nga ky medium, viktima dyshohet se është nga familja Bogujevci, nga fshati Livoq, ndërsa i dyshuari për kryerjen e vrasjeve dyshohet se është nga familja Ramushi, nga fshati Llashticë.
Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillon hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti të rëndë.
Insajderi ka provuar të kontaktojë zyrtarët policorë në Gjilan për të marrë informacione zyrtare lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit, ata nuk janë përgjigjur në telefon.
