Kosovë Lajme Politikë

Deliu-Kodra: Kurti dhe ministrat e tij po e uzurpojnë Qeverinë, duhet të kthehen në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrat e tij, gjatë protestës së PDK-së para objektit të Qeverisë, mëngjesin e sotëm.

Në një deklaratë para mediave, Deliu-Kodra tha se Kurti dhe kabineti i tij janë duke “uzurpuar” objektin e Qeverisë dhe se duhet të kthehen në Kuvend për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja.

“Ne po i themi sot troç Albin Kurtit dy gjëra. Ai dhe ministrat e tij janë uzurpatorë të objektit të Qeverisë dhe duhet ta kthejnë, ata duhet të kthehen në Kuvend”, deklaroi ajo.

Sipas Deliu-Kodrës, pasojat e bllokadës institucionale po i ndjejnë drejtpërdrejt qytetarët, ndërsa dëmi për vendin, sipas saj, është i madh.

“Pasojat po i ndjejnë qytetarët, dëmi është shumë i madh. Ka vetëm një njeri që nuk lodhet për stagnimin që e ka Kosova”, tha deputetja e PDK-së.

Ajo i bëri thirrje Kurtit që të kthehet në Kuvend dhe të mundësojë krijimin e institucioneve të reja.

“I bëjmë thirrje Kurtit të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. Kosovën nuk mund ta shkatërrojë kurrkush, as zoti Kurti”, përfundoi Deliu-Kodra.