Kosovë Lajme

Defekti i trafos i la mbi 60 minatorë të ngujuar në Trepçë, Rizvanolli: Janë mirë, do të dalin gradualisht nga dalja emergjente

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se minatorët që ndodhen brenda minierës së Trepçës pas një defekti në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë.

Numri i tyre raportohet të jetë 60 sosh

Rizvanolli ka bërë të ditur se minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00.

“Sipas informatave nga menaxhmenti i Trepçës, minatorët që ndodhen brenda minierës pas defektit në pajisjet elektrike janë në gjendje të mirë. Ata janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00”.

“Ekipet teknike po punojnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji. Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e minatorëve përmes daljes emergjente. Menaxhmenti është në vendngjarje, ku kanë qenë edhe policia dhe zjarrfikësit”, ka thënë Rizvanolli.