Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, përveç një karriere të gjatë akademike dhe institucionale, ka deklaruar edhe një numër të konsiderueshëm të pasurive të paluajtshme, aksione në një kompani dhe detyrime financiare.
Të dhënat e fundit të deklaruara para marrjes së detyrës së presidentes i përkasin vitit 2024, të cilat janë publikuar në media.
Deklarimi ishte dorëzuar më 29 mars të atij viti, kur Shiroka-Pula ishte anëtare e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ndërsa njëkohësisht mbante edhe pozitën e nënkryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).
Në deklarimin e pasurisë figurojnë disa prona të paluajtshme, në pronësi individuale, të përbashkët ose të trashëguara.
Ajo kishte deklaruar një banesë prej 69 metrash katrorë, të blerë në vitin 1996, me vlerë të deklaruar prej 34 mijë eurosh. Po ashtu, figuron edhe një banesë prej 140 metrash katrorë, e përfituar përmes trashëgimisë.
Në listën e pasurive është edhe një shtëpi prej 135 metrash katrorë në lagjen “Marigona”, e blerë në vitin 2017 përmes kredisë, me vlerë të deklaruar prej 130 mijë eurosh.
Shiroka-Pula kishte deklaruar edhe një shtëpi prej 174 metrash katrorë, të blerë në vitin 2019 dhe me vlerë prej 250 mijë eurosh. Kjo pronë figuron si pronësi e përbashkët dhe, sipas deklarimit, është krijuar përmes kompensimit të një banese, kursimeve nga qiraja, trashëgimisë dhe të ardhurave nga biznesi.
Në deklarim janë përfshirë edhe një shtëpi prej 358 metrash katrorë, e trashëguar në masën 1/3, me vlerë të deklaruar prej 100 mijë eurosh, si dhe 1/4 e pronësisë së një shtëpie prej 126 metrash katrorë, e vlerësuar në 110 mijë euro.
Një tjetër pronë e deklaruar është një banesë prej 120 metrash katrorë, e blerë në vitin 2022, me vlerë prej 200 mijë eurosh.
Në vitin 2023, Shiroka Pula kishte deklaruar edhe 30 ari tokë, të blerë përmes kredisë, me vlerë të deklaruar prej 120 mijë eurosh.
Përveç pasurive të paluajtshme, ajo kishte deklaruar edhe 52 për qind të aksioneve në kompaninë “DLLL”, me vlerë të deklaruar prej 2,600 eurosh.
Në llogaritë bankare, sipas deklarimit të vitit 2024, Shiroka Pula kishte 668.33 euro në Raiffeisen Bank, 2,740.69 euro në Bankën për Biznes dhe 2,049.57 euro në ProCredit Bank.
Sa u përket detyrimeve financiare, ajo kishte deklaruar dy kredi.
E para ishte marrë për blerjen e shtëpisë në lagjen “Marigona”. Kredia kishte qenë në vlerë fillestare prej 120 mijë eurosh, ndërsa në momentin e deklarimit borxhi i mbetur ishte 40 mijë euro.
Kredia e dytë ishte marrë për blerjen e tokës. Nga shuma fillestare prej 120 mijë eurosh, në kohën e deklarimit kishin mbetur për t’u paguar 114,217 euro.
Ndërkohë, pas zgjedhjes së saj si presidente e Republikës së Kosovës, Shiroka-Pula pritet të bëjë deklarimin e ri të pasurisë në përputhje me detyrimet që burojnë nga pozita e saj e re.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente më 6 tetor, duke marrë 81 vota në Kuvendin e Kosovës. Ajo paraprakisht kishte drejtuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.


