Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me debatin për plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te mënyra se si kjo gjykatë po e ushtron mandatin e saj.
Përmes një statusi, Bajraktari ngriti shqetësimin se Gjykata Speciale po funksionon pa llogaridhënie të duhur, po shfaq afërsi me Prokurorinë dhe po u jep peshë provave të ‘siguruara’ nga Serbia.
Sipas tij, kjo qasje rrezikon të riformësojë narrativën historike të popullit të Kosovës.
Ai kërkoi qartësim të mandatit, forcim të garancive procedurale dhe respektim strikt të standardeve të gjykimit të drejtë.
Ky është postimi i tij i plotë:
Reagimet lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të na bëjnë ta humbim thelbin.
Çështja nuk është vetëm çfarë ndryshimesh i bëhen ligjit, por si është ushtruar mandati i kësaj gjykate dhe sa janë respektuar ligji, rregullat dhe standardet e gjykimit të drejtë.
Shqetësimi është më i thellë: një gjykatë që funksionon pa llogaridhënie, që shfaq hapur afërsi me Prokurorinë, u jep peshë provave të siguruara nga një regjim që ka ushtruar gjenocid dhe, përmes vendimeve të saj, rrezikon të ndikojë në riformësimin e narrativës historike të një populli.
Këto nuk mund të anashkalohen. Ato kërkojnë qartësim të mandatit të gjykatës, forcim të garancive procedurale dhe respektim strikt të rregullave bazë të drejtësisë.
Pavarësia e gjykatës nuk është mungesë llogaridhënieje. Mandati nuk e vendos gjykatën mbi ligjin.
Nëse nga Kosova kërkohet respektim i zotimeve ndërkombëtare, të njëjtin standard duhet të kërkohen edhe nga institucionet e krijuara në emër të drejtësisë.
Drejtësia nuk mbrohet duke mbrojtur gjykatën nga kritika. Drejtësia mbrohet duke kërkuar që edhe gjykata t’i nënshtrohet drejtësisë.
