Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ia ka bërë “avokaten” bashkëpartiakes së saj, ministres Rozeta Hajdari, pasi ndaj kësaj të fundit u ngrit aktakuzë nga Prokuroria Speciale lidhur me skandalin për rezervat shtetërore.
Haxhiu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka pretenduar se hetimet ndaj saj janë të ndikuara dhe se ekziston një tendencë për njollosjen e imazhit të saj, shkruan KFVA.
“Kaherë kemi theksuar se hetimet ndaj Ministres Hajdari janë të ndikuara, dhe ngritja e aktakuzës ndaj saj e vërteton këtë. Ministrja Hajdari as nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare. Për këtë rast jam e njoftuar në çdo detaj, pasi edhe Avokatura Shtetërore ka qenë e përfshirë me qëllim të mbrojtjes së interesit publik”, ka shkruar Haxhiu.
“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara, të cilat kishin lënë vendin pa rezerva”, ka thënë ajo.
Në fund, ka pasur një porosi për drejtësinë:
“Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe në punën e bërë, e jo në ndikime apo qëllime politike”.
