Kosovë Lajme Politikë

VV mbështet ndryshimin e Ligjit për Specialen, Nagavci: Do ta përkrahim këtë përpjekje

VV-ja do ta mbështesë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kështu deklaroi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Nagavci tha se çështja e Gjykatës Speciale duhej të ishte trajtuar ndryshe që në vitin 2015, kur, sipas saj, institucionet e Kosovës morën një prej vendimeve më të rëndësishme të pasluftës.

“Kemi para vetes sot një çështje të rëndësisë së veçantë. Ajo do të duhej të ishte zgjedhur në pranverën e vitit 2015, kur Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës morën një nga vendimet më të rëndësishme të pasluftës. Aty do të duhej të përcaktoheshin, me shumë më tepër largpamësi, natyra, mandati dhe kufijtë e mekanizmit që po krijohej, si dhe pasojat që ai mund të kishte për vendin dhe kombin tonë”, tha Nagavci.

Ajo tha se VV e kishte kundërshtuar krijimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015 dhe se qëndrimi i tyre ndaj kësaj gjykate nuk ka ndryshuar.

“Ne ishim kundër krijimit të Dhomave të Specializuara. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë Gjykatë Speciale. Kemi menduar atëherë dhe mendojmë edhe sot se çdo dyshim për vepra penale të kryera nga individë duhej të hetohej dhe gjykohej brenda sistemit të rregullt të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Drejtësia ishte e domosdoshme, ndërsa një sistem i veçantë drejtësie për Kosovën, ku do të gjykohej lufta, sipas nesh nuk kishte”, u shpreh ajo.

Nagavci tha se, megjithatë, nëse ata që e kanë mbështetur krijimin e kësaj gjykate në vitin 2015 tani kërkojnë ndryshimin e ligjit, VV-ja do ta përkrahë këtë nismë.

“Megjithatë, nëse ata që e mbështetën këtë zgjidhje më 2015, sot kërkojnë ta ndryshojnë ligjin, ne do ta mbështesim këtë përpjekje”, tha Nagavci.