Është shtuar numri i qytetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar
Protestuesit janë mbledhur para objektit të Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”. Ata po mbajnë pankarta dhe po u bëjnë thirrje deputetëve që të votojnë projektligjin.
Ndërkohë, në Kuvend po zhvillohet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, ku po shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pas përfundimit të shqyrtimit në Komision, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku projektligji është pika e parë e rendit të ditës.
Në të njëjtën orë, para Kuvendit është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me kërkesë për miratimin e ndryshimeve ligjore.
