Kosovë Kronikë Policore Lajme

Keni hapur llogari të rreme? Kujdes, mund të ndiqeni penalisht

Profilet e rreme që fshihen pas identiteteve të sajuara, mesazhe kërcënuese, shantazh, fyerje e gjuhë të urrejtjes, janë bërë pjesë e përditshme në botën digjitale.

Profesori për siguri kibernetike, Blerim Rexhaj, në emisionin “Ora Shtatë”, tha se krijimi i një profili të rremë nuk kërkon dije apo shkathtësi, pasi sipas tij, është shumë e lehtë, transmeton Klankosova.tv.

“Secili mundet me mbush informacionet sipas dëshirës. Rrjetet sociale në parim nuk kanë tendencë të verifikojnë identitetin e qytetarit që aplikon, pra secili mundet me mbush emrin e kujtdo”, u shpreh ai.

Se sa e lehtë është të gjendet një person pas një llogarie ‘fake’, profesori bëri të ditur se zakonisht kuptohet nga gjurmët që mbeten në internet.

Krijimi i një profili të rremë, sipas avokatit Kasem Murturi, nuk përbën në vete vepër penale.

“Çka mbron Kodi Penal i jonë, mbron keqpërdorimin e identitetit të huaj. Për shembull, unë jam penalisht përgjegjës nëse e hapi një llogari me emrin e dikujt tjetër, dhe e postoj foto të atij personi dhe të tjerët paraqitem si ai/ajo”, tha avokati në Klan Kosova.