Botë Lajme

SHBA-Iran, vijojnë negociatat: Mosmarrëveshje për planin shtatëditor

Pavarësisht klimës pesimiste, negociatat mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë me ndërmjetësimin e Katarit, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u takua të martën në Doha me ndërmjetësuesit e Katarit, ku mori përgjigjen e Uashingtonit për propozimin shtatëditor të Teheranit. Ai pritet ta diskutojë atë në Teheran.

Sipas mediave të huaja, mosmarrëveshja kryesore lidhet me rendin e zbatimit të hapave, dhe jo domosdoshmërisht me përmbajtjen e planit. Dokumenti synon ndërtimin e besimit dhe rikthimin në një version të përforcuar të marrëveshjeve të mëparshme mes dy vendeve.

Një burim i lartë i tha Al-Arabiya/Al-Hadath se plani kërkon ende “ndryshime themelore”, ndërsa negociatat janë përqendruar te pyetja se cila palë do të bëjë lëvizjen e parë dhe çfarë garancish do të ofrohen.

Katari deklaroi se po vazhdon shkëmbimi i mesazheve mes palëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majid al-Ansari, tha se Doha po punon për të gjetur “terren të përbashkët” dhe për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Ndërkohë, Donald Trump mohoi raportimet se SHBA-ja kishte ofruar lehtësim të sanksioneve ndaj Iranit dhe lirimin e fondeve të ngrira në këmbim të lëshimeve në programin bërthamor.

Pavarësisht kontakteve diplomatike, çështjet e garancive, rendit të zbatimit dhe programit bërthamor mbeten pengesat kryesore në negociata.