Kosovë Lajme Politikë

Kurti kërkon marrëveshje për presidentin: Le të ulemi bashkë, zgjedhjet janë të panevojshme!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje të re politike për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se vendi ndodhet përpara një situate urgjente pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti tha se marrëveshja e mëparshme me LDK-në është shkelur dhe se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk e kanë mbështetur atë.

“Aktgjykimi i Kushtetueses i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afatave për zgjedhjen e presidentit na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre”.

Ai theksoi se kanë mbetur edhe gjashtë ditë për arritjen e një marrëveshjeje dhe zgjedhjen e presidentit.

“Para nesh po sot kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, përveç së arritjes së një marrëveshje të re dhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të panevojshme me pasoja të rënda gjithsesi se janë të shmangshme, andaj le të ulemi bashkë”.

Kurti paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, të cilat, sipas tij, nuk do ta zgjidhnin çështjen e presidentit dhe do të krijonin paqartësi institucionale.

“Zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq qeveria do të mbetej në detyrë. Nuk kemi nevojë që të shkojmë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional”, deklaroi Kurti.