Familja Mëziu nga fshati Marinë i Skenderajt ka njoftuar se është identifikuar trupi i babait të tyre, Salih Mëziu, i cili figuronte i zhdukur prej më shumë se 27 vitesh si pjesë e të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”.
Përmes një njoftimi të pikëlluar, familjarët kanë shprehur lehtësimin e hidhur për këtë lajm që i jep fund një torture gati tredekadëshe të mosdijes për fatin e më të dashurit të tyre.
“Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, kjo është një përgjigje e dhimbshme, por njëkohësisht e shumëpritur. Për kaq gjatë kemi jetuar me ankthin, shpresën dhe dhimbjen e pritjes, duke mos ditur se ku prehej baba ynë. Sot, edhe pse kemi marrë një përgjigje, zemrat tona mbeten të thyera,” është shprehur familja Mëziu.
Familja pret ende për 9 pjesëtarët e tjerë
Salih Mëziu është vetëm një nga 10 pjesëtarët e familjes Mëziu që mbetën të zhdukur pas ngjarjeve tragjike të luftës.
Familja ka bërë me dije se do të vazhdojë koordinimin me institucionet kompetente, me shpresën se së shpejti do të ketë lajme edhe për anëtarët e tjerë, në mënyrë që t’u japin të gjithëve lamtumirën e fundit me nderimet që meritojnë.
