Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla është duke u përballur me një valë mllefi të popullit pas heshtjes së saj në lidhje me dënimin e katërshes së UÇK-së nga Gjykata Speciale. Ajo po akuzohet se ka dërguar dosje në Hagë, që mund të kenë ndikuar në dënimin e katërshes.
Megjithatë, partia e saj “Guxo” me reagimin e fundit ka tentuar që debatin për mos reagimin e saj ta drejtoj kah akuzat ditore politike.
Fillimisht, në komunikatën e tyre ata kanë sulmuar deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale. “Guxo” e ka quajtur të papranueshme akuzat që po i bëhen Gërvallës.
Në fund të komunikatës, “Guxo” ka tentuar t’i jap kahje tjetër këtij debati, duke e rikthyer tek ligj për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Dhe fund, duhet të pyesim: sulmet ndaj Donikës kanë të bëjnë me Hagën apo ligjin për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme? Ofendimet e sotme në portale e vërtetojnë që kjo e dyta është e vërteta.”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Në komunikatë “Guxo” nuk jep përgjigje nëse Donika Gërvalla ka dërguar dosje në Hagë apo jo.
Reagimi i plotë:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Drejtësi po, manipulim politik jo
Shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është i arsyeshëm dhe tërësisht legjitim. Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet me respektin më të madh.
Megjithatë, dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi.
Pavarësisht vendimeve të gjykatave, lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi mbetet gjithmonë e drejtë dhe e shenjtë.
Në këtë kontekst, pyetja shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: pse përgjegjësia politike nuk kërkohet nga ata që e votuan, e negociuan dhe e mbështetën Gjykatën Speciale? Sot, zhurmës së akuzave dhe baltosjeve u prijnë pikërisht ata që nëpër studio televizive e jashtë tyre kërkonin burgosje, lexonin lista me emra dhe ushtronin presione të pashembullta që ky ligj të votohej në Kuvend.
Është e papranueshme që, në vend të një analize mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete se pse erdhi situata deri këtu, po tentohet të linçohet politikisht Zëvendëskryeministja dhe Ministrja Donika Gërvalla si një “fajtore” për këtë.
Linçimi publik dhe baltosja e pashembullt, gjithnjë iu ka paraprirë edhe likuidimeve fizike të personaliteteve të njohura kombëtare.
Prandaj, Partia Guxo ngre pyetjen: prej nga kjo ringjallje e fantazmave të listave për likuidime, të viteve 97, 98, 99?Këto zhvillime ngrenë dyshime të mëdha: a po dëshmohet se në Kosovë ende nuk mund të zhvillohen procese gjyqësore të pavarura, pa presione politike dhe ndërhyrje të jashtme? Cili është mesazhi që këto fushata dhe protesta kundër institucioneve të drejtësisë i transmetojnë botës?
Shoqëria jonë duhet të vendosë nëse kërkon drejtësi vetëm kur ajo përkon me interesat e ngushta politike, a po kërkon një drejtësi të bazuar rreptësisht mbi kutet e ligjit apo mbi kutet e grupeve të cilat ligjin e konsiderojnë pronë?
Partia Guxo është e bindur: Drejtësia nuk guxon të përdoret kurrë si një instrument i luftës së brendshme politike.
Dhe fund, duhet të pyesim: sulmet ndaj Donikës kanë të bëjnë me Hagën apo ligjin për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme? Ofendimet e sotme në portale e vërtetojnë që kjo e dyta është e vërteta.
Prandaj:
Shqetësim qytetar, po.
Protestë, po.
Llogaridhënie, po.
Linçim politik, në asnjë mënyrë.
