Kosovë Lajme

Bajraktari: Apeli mund të zgjasë dy vite, institucionet nuk e trajtuan seriozisht procesin

Pas verdiktit në Hagë, çështja tashmë kalon në një tjetër fazë, atë të Apelit.

Avokati Ardian Bajraktari thotë se procedura mund të zgjasë rreth dy vite, ndërsa kritikon institucionet e Kosovës për qasjen ndaj këtij procesi dhe kërkon rishikimin e disa dispozitave të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Bajraktari në një intervistë për Ekonomia Online, ka shpjeguar fillimisht afatet dhe hapat proceduralë që pasojnë pas aktgjykimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Hagë.

“Fillimisht duhet me thënë që gjykata speciale i ka disa procedura pak më ndryshe në raport me sistemin tonë të drejtësisë dhe këto nisin nga momenti kur bëhet i njohur për palët aktgjykimi, nga ai moment fillon me rrjedhë afati prej 30 ditësh, sipas të cilit palët e pakënaqura me vendimin e njoftojnë gjykatën që do të parashtrojnë ankesë në raport me verdiktin dhe i paraqesin elementet kyçe ose pikat kyçe të ankesës. Dhe pas kësaj faze, gjashtë ditë nga momenti i pranimit të vendimit, i kanë afat që ta konkretizojnë ankesën duke përfshirë edhe çështjen e dosjes të plotësuar që duhet me u dorëzuar së bashku me ankesën”, thekson avokati.

Ai ka theksuar se palët, në kuadër të procedurës së ankesës, mund të paraqesin edhe prova shtesë, duke specifikuar pretendimet që kundërshtojnë aktgjykimin.

“Çka është e rëndësishme me u theksuar, është fakti që në rastin e parashtrimit të ankesës, palët mund të paraqesin edhe prova të tjera shtesë, vetëm që mjafton t’i specifikojnë pretendimet e tyre që duhet me i kundërargumentuar në raport me aktgjykimin e Gjykatës së Shkallës së Parë”, u shpreh ai.

Bajraktari ka shpjeguar edhe procedurën pas dorëzimit të ankesave, përfshirë mundësinë që pala kundërshtare të japë kundërargumentet e saj.

“Pastaj pas pranimit të ankesës ose ankesave të palëve, të njëjtat iu dërgohen palës kundërshtare me qëllim të dhënies së mundësisë me u kundërargumentuar, edhe pastaj edhe këto kundërargumente i dërgohen palës që ka parashtruar ankesën në mënyrë që palët t’i kenë të gjitha mundësitë që të argumentojnë përkatësisht kundërargumentojnë në raport me pretendimet ankimore të njerëzve përkatësisht palës tjetër”, thotë ai.

Më pas, sipas tij, formohet paneli i Gjykatës së Apelit dhe caktohet gjyqtari raportues i çështjes.

“Dhe pastaj natyrisht që themelohet një panel i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, ku caktohet edhe një gjyqtar raportues ose gjyqtar referues i çështjes. Pastaj ftohet seanca dhe pastaj merret verdikti i Gjykatës së Shkallës së Dytë. Sipas ecurisë bazuar në faktin që materia është bukur komplekse dhe ka, siç dihet, katër persona të cilët ballafaqohen me këtë proces, referuar praktikës së kësaj të fundit, vlerësoj që afërsisht dy vite, dy vite e ca do të mund t’i marrë kohë kjo procedurë derisa të jetë verdikti i Gjykatës së Shkallës së Dytë”, tha ai.

Avokati ka përmendur edhe mundësitë që i ka Gjykata e Shkallës së Dytë në shqyrtimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

“Vlen të theksohet Gjykata e Shkallës së Dytë i ka të gjitha mundësitë, qoftë me vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë që po shpresojmë që jo, me e ndryshuar atë dhe me i liruar nga përgjithësia penale përkatësisht nga këto akuza, me kthy çështjen në rigjykim. Të gjitha këto mundësi janë të hapura për Gjykatën e Shkallës së Dytë në kuadër të cilës nën supozimin që do të ketë një proces ndryshe dhe më të rregulluar sesa që e kemi parë deri tash”, u shpreh ai.

Duke folur për protestat pas vendimit, Bajraktari i ka cilësuar pakënaqësitë e qytetarëve si të kuptueshme dhe ka folur për rëndësinë që, sipas tij, ka UÇK-ja në historinë e Kosovës.

“Kuptohet protestat, pakënaqësitë e qytetarëve janë evidente, janë normale, janë të drejta, sepse në instancën e fundit po bëhet fjalë për një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme për periudhën më të ndjeshme të historisë së popullit shqiptar në përgjithësi të Kosovës, e në veçanti po bëhet fjalë për një ushtri e cila në koordinim dhe aleancë me NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka rezultuar me çlirimin e vendit. Prandaj t’i atribuohen epitete të një organizate ose të ndërmarrjes së përbashkët kriminale ose ka pasur qëllim të kryejë aktivitete kriminale, natyrisht që kjo është e papranueshme për qytetarët, prandaj edhe pakënaqësitë e tyre janë normale. Po shpresoj që të njëjtat të jenë dinjitoze, ashtu sikurse janë paraqitur katërshja e UÇK-së në këtë sfidë jo pak, të lehtë”, thotë ai.

Bajraktari ka thënë se kundërshtimi duhet të vazhdojë, ndërsa ka kritikuar institucionet e Kosovës për mënyrën se si e kanë trajtuar këtë proces.

“Prandaj vlerësoj që të tillë të vazhdohet edhe në të ardhmen me kundërshtimin, sepse është mirë që bota demokratike të ketë të qartë këtë, që populli nuk e pranon që UÇK-ja, UÇK-së t’i atribuohen ato epitete sikurse pretendon prokuroria tashmë edhe gjykata e shkallës së parë. Për dallim prej institucioneve të cilat besoj që janë ndonëse të vonuara në drejtim të marrjes me më seriozitet dhe më me përkushtim tek këtij procesi, e kemi thënë vazhdimisht që ky është dhe ka qenë proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, si për të kaluarën, si për të tashmen, si për të ardhmen e vendit, por që institucionet tona në përgjithësi nuk është që e kanë trajtuar në bindjen time mjaftueshëm, me përkushtim dhe seriozitet. Le të mos harrojmë faktin që pala mbrojtëse në jo pak raste është ballafaquar me vështirësi të duarndorshme, duke përfshirë edhe mungesën e fondeve të mjaftueshme për të siguruar një mbrojtje kualitative. Prandaj qasja e institucioneve ka qenë, ka lënë shumë për me dëshiruar, shto faktin që ligji në bindjen time ka pasur dhe ka një varg anomalish dhe nene që janë në shpërputhje me Kushtetutën. Prandaj lehtësisht ato kanë mundur të adresohen edhe tash mund të bëhet në rast se ka vullnet politik për një gjë të tillë”, u shpreh Bajraktari.

Avokati ka folur për dispozitat e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të cilat pretendon se duhet të rishikohen dhe harmonizohen me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare.

“Vazhdimisht prej asaj se s’kanë në fakt ndryshuar, për shembull në rast se i referohemi dispozitave të nenit 44 të Ligjit për Dhomat e Specializuara që flet për dënimin. Ai është në shpërputhje me të gjitha parimet e drejtësisë penale, përfshirë edhe zbatimin e ligjit më të favorshëm si parim ose bazament i funksionimit të drejtësisë penale që prej se funksionon ai, ama di edhe madje një nen i tillë është në shpërputhje edhe me nenin 33 të Kushtetutës, por edhe me nenin 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Prandaj rishikimi dhe harmonizimi i tij me Kushtetutën e vendit dhe aktet e zbatueshme direkt në vendin tonë, do të jetë një gjë e nevojshme dhe e domosdoshme dhe për më tepër do të mundësojë që çfarëdo vendimi eventual që mund të jetë në të ardhmen të jetë në harmoni me këto instrumente që duhet me u zbatu edhe nga ana e Gjykatës Speciale”, tha ai.

Ai foli edhe për nene të tjera që do të duhej të ndryshonin.

“Pastaj kemi edhe disa akte ose disa nene të tjera, siç është për shembull çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare, e cila i atribuohet kryetarit të dhomave të specializuara, ndonëse çështja e transferimit të personave të dënuar janë akte të cilat prekin drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e njeriut dhe si të tilla duhet t’i nënshtrohen procesit të ratifikimit të përcaktuar në nenin 18 të Kushtetutës së vendit. Pastaj ka mungesë të mekanizmave të mbikëqyrjes të kësaj gjykate, e cila ndonëse në nenin përkatës të Kushtetutës i atribuohen këto çështje që rregullohen me ligj të veçantë, mirëpo kur shkojmë te ligji për dhomat e specializuara, një gjë e tillë nuk figuron fare. Prandaj ligji ka pasur dhe ka një varg dispozitash të cilat me një proces dhe me një vullnet politik mund të adresohen dhe mund të rishikohet ky ligj”, shtoi tutje Bajraktari.

Trupi gjykues shpalli fajtorë ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të mërkurën.

Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13. Të katërtit u gjetën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Trupi gjykues rrëzoi akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime kundër njerëzimit.

Vendimi u cilësua si i padrejtë nga krerët shtetërorë të Kosovës, teksa ekipet mbrojtëse paralajmëruan se do ta apelojnë atë.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar e mirëpriti vendimin dhe tha se sjellë drejtësi për viktimat, teksa paralajmëroi se do të shqyrtojë aktgjykimin edhe për pjesën e akuzave që i rrëzoi trupi gjykues.