Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se është urgjencë kombëtare të shpëtohet shteti i Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se një nga prioritetet e para në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.
Bajrami ka thënë se personat që shkelin Kushtetutën duhet të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
“Është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet. Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar gjithashtu qeverisjen aktuale, duke pretenduar se vendi nuk është ndërtuar për t’u dëmtuar nga ata që kanë ardhur në pushtet me premtime politike.
“Sepse ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka thënë Bajrami.
