Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Dr. Flora Brovinës, duke e vlerësuar si një mjeke, humaniste, poete dhe veprimtare të shquar për çështjen kombëtare.
Në njoftimin e saj, Oda ka theksuar se Brovina ia kushtoi jetën mjekësisë dhe shërbimit ndaj popullit. Gjatë luftës në Kosovë, ajo vazhdoi të ofronte kujdes shëndetësor për gratë dhe fëmijët e prekur nga lufta.
Për angazhimin e saj humanitar, më 20 prill 1999, Brovina u arrestua dhe u mbajt e burgosur në Serbi për rreth një vit e gjysmë.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se më 11 shtator 2026 kishte marrë vendim t’i ndante Brovinës dekoratën për merita të veçanta me titullin “Ali Sokoli”, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj ndër vite në mjekësi dhe në shërbim të shoqërisë.
“Me ndarjen e saj nga jeta, komuniteti mjekësor humbi një mjeke dhe humaniste të rrallë, ndërsa shoqëria jonë humbi një figurë që mishëroi guximin, përkushtimin dhe humanizmin”, thuhet në njoftim.
Oda u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën Dr. Flora Brovinën.
