Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.J., i cili dyshohet për sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri pas mesnatës ka sulmuar mjekun kujdestar në Shërbimin Emergjent Primar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Prokuroria thotë se i pandehuri ishte “në gjendje të dukshme t% dehur”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të pandehurin E.J., ekziston dyshimi i bazuar se me datë 01.11.2026, rreth orës 00:35, në Ferizaj, rruga “Ramadan Rexhepi”, përkatësisht në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar – QKMF, i pandehuri ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin F.F., – mjekun kujdestar në lidhje me ushtrimin e detyrave të tij zyrtare, në atë mënyrë që, pasi kishte sjellë babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore, gjatë kohës kur personeli mjekësor ishte duke i ofruar trajtimin e nevojshëm, i pandehuri ka ndërhyrë duke ushtruar presion ndaj personelit mjekësor, me ç’rast për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës për zhvillimin e papenguar të trajtimit mjekësor, i është kërkuar që të largohet nga dhoma, mirëpo i pandehuri ka refuzuar dhe më pas e ka goditur një herë me grusht të dëmtuarin F.F., në pjesën e majtë të fytyrës, me të cilën ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet në ndalim 48-orësh.
