Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka frikë se ndërkombëtarët sikur po paralajmërojnë dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në shkallë të parë të mërkurën, e më pas lirimin e tyre në Apel.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati publikoi në Facebook një apel të veteranëve të UÇK-së për Bashkimin Europian dhe “ambasadorët e huaj”.
“Veç çka nuk po thonë direkt: ‘Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm’. Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë”, shkroi Gucati në Facebook.
Apeli i veteranëve të UÇK-së përmes Hysni Gucatit:
APELI i veteranëve të UÇK-së për BE-në dhe ambasadorët e huaj
Shumë ambasadorë të huaj, sikurse dje edhe BE-ja, në përpjekje për t’i menaxhuar pakënaqësitë qytetare lidhur me Gjykatën Speciale, po thonë: më 16 shtator nuk përfundon gjithçka, sepse palët e kanë Apelin.
Veç çka nuk po thonë direkt: “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”.
Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë.
Gjykata Speciale, që nga fillimi, u ka raportuar diplomatëve, sepse është krijuar dhe mbështetur prej tyre. Ajo nuk ka vepruar asnjëherë si një institucion i pavarur i drejtësisë.
Madje, më shumë është dukur e shqetësuar për qëndrimet e përfaqësive diplomatike sesa për gjetjet e organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur aty.
Për gati gjashtë vjet, kjo gjykatë ka prodhuar vetëm narrativë që i ka shërbyer Serbisë.
Çdo pretendim të Serbisë e ka adresuar dhe rehabilituar. Pavarësisht mungesës së kredibilitetit të dëshmitarëve serbë, i ka pranuar si dëshmitarë. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së dëshmive të tyre, pretendimet serbe janë trajtuar si material për gjykim.
Prandaj, dëshirë e disa ambasadorëve mund të jetë edhe tani që Gjykata Speciale të vazhdojë t’i shërbejë Serbisë me një vendim në shkallën e parë, për ta korrigjuar më pas në Apel, siç po tentohet të na thuhet. Por, një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë.
Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë.
Dhe Serbia nuk e pret Apelin.
Ajo e përdorë menjëherë një vendim të tillë në OKB, në diplomaci, në fushatën për çnjohjet e Kosovës dhe në përpjekjet e saj për ta delegjitimuar Kosovën si shtet.
Pasojat do të ishin shumë të mëdha edhe brenda Kosovës.
Nëse një gjykatë e lidh luftën çlirimtare të Kosovës me kriminalitet të organizuar, dëmi nuk mbetet vetëm në sallën e gjyqit në Hagë. Nga ajo sallë do të kriminalizohej botërisht lufta e UÇK-së.
Dhe bashkë me të do të prekej edhe legjitimiteti i çlirimit të Kosovës, intervenimi i NATO-s dhe vetë shtetësia e Republikës së Kosovës.
Nënshkrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së në Rambuje ishte vendimtar për intervenimin e NATO-s. Në koordinim me katër ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, aleanca veriatlantike koordinoi edhe bombardime të ndryshme të caqeve serbe.
Prandaj, një narrativë që e kriminalizon luftën e UÇK-së nuk prek vetëm të kaluarën. Ajo prek edhe bazën politike dhe morale mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.
Po ashtu, ajo godet edhe karakterin shumetnik të Kosovës, në të cilin bashkësia ndërkombëtare ka investuar që nga viti 1999.
Gjykata Speciale, në rast të një vendimi të padrejtë, Serbisë do t’i jepte municion të ri diplomatik.
Një vendim i padrejtë që kriminalizon luftën tonë, në kohën kur Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e veta dhe ta glorifikojë aparatin shtetëror që i kreu ato, nuk prodhon paqe.
Prodhon plagë të reja. Prodhon tension. Prodhon konflikt të ri.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar 27 vjet duke na folur për paqe, pajtim dhe bashkëjetesë. Prandaj, duhet ta dijë se paqja nuk ndërtohet duke e poshtëruar drejtësinë.
Pajtimi nuk ndërtohet duke kriminalizuar viktimën si palë.
Dhe stabiliteti nuk ruhet duke luajtur me plagët e popullit tonë.
Drejtësia nuk është lojë me shkallë, ku dëmi i shkaktuar në të parën harrohet pas vendimit të dytë.
Bashkësia ndërkombëtare e ka tradhtuar besimin e Kosovës, sepse ia ka tjetërsuar misionin dhe qëllimin Gjykatës Speciale.
Ajo nuk duhet ta humbasë edhe atë që ka mbetur mes nesh.
Vendimi i padrejtë nuk sjell paqe, por konflikt.
Dhe kushdo që sot po luan me këtë zjarr, nesër nuk mund të thotë se nuk e dinte çfarë po bënte.
Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund. Ajo duhet të jetë e drejtë qysh në fillim.
Prandaj, APELI që veteranët e UÇK-së ia drejtojnë BE-së dhe ambasadorëve të huaj është që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit në Gjykatën Speciale.
Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!
Hysni Gucati, Kryetar i OVL-së së UÇK-së.
