Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, reagoi rreth raporteve politike e diskutimeve rreth afërsisë së Vjosa Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar se vendimmarrja politike i takon vetëm qytetarëve përmes votës.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të fundit është tregues i qartë i vullnetit qytetar dhe nuk mund të ndryshohet nga interpretime apo qëndrime politike.
“Populli vendos. Dhe mos harroni qysh ka vendos para katër muajsh. 51 .1 përqind ia dha VV-së dhe iu afruam shumë pranë shifrës 500 mijë vota. Vetëm shikoni rezultatin e 28 dhjetorit, 57 deputetë VV-ja, LDK-PDK-AAK së bashku 43 deputetë. Nuk jemi duke u krahasuar dy parti, por e gjithë opozita me VV-në. Njerëzit kanë dëshira, dhe është normale, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me fakte”, tha Kurti.
Ai shtoi se çdo person mund të ketë ambicie politike, por ato nuk përcaktojnë pushtetin, duke theksuar se përpjekjet për ta ndalur Lëvizjen Vetëvendosje sipas tij kanë sjellë efekt të kundërt, duke rritur mbështetjen për të.
“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet e kanë vizione ide për të mirën e qytetarëve le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e munden dhe ju dëshiroj sukses. Për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarë do posti, për këtë vendos vetëm populli. Besoj që qytetarët e kanë kuptuar që çdoherë kur përpiqen t’ia vësh digën një rrjedhe soci-historike e politike siç është VV-ja, do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë diga, është rritur prurja”, deklaroi ai.
