Kuvendi i Kosovës ka njoftuar për zhvillimet e sotme në seancën ku Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Parlamentit. Megjithatë, me marrjen e kryesimit të seancës nga Haxhiu, procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se nuk pranon votimin në pako për nënkryetarët e Kuvendit, me arsyetimin se deputetët Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala nuk votojnë për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Po ashtu, VV ka përmendur edhe deklarimin e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili, kur propozoi nënkryetarin serb, tha se po e bën këtë në emër të popullit serb.
Për këtë, fillimisht Haxhiu tha se duhet të verifikohet nëse propozimi ka qenë në përputhje me Kushtetutën.
Më vonë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Lista Serbe propozimin me shkrim e ka bërë në përputhje me Kushtetutën, por deklarimi i Simiqit ishte në shpërputhje me të.
Sidoqoftë, në njoftimin e Kuvendit për seancën ka zënë vend vetëm episodi i Haxhiut me Listën Serbe, ndërsa nuk është përmendur pjesa ku ajo i transmeton fjalët e Albulena Nagavcit se VV-ja nuk i voton Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
