Kosovë Lajme Politikë

Në mesnatë afati i fundit për konstituim të Kuvendit, s’ka njoftim as për biseda mes partive as për seancë të re

Sot në orën 23:59 skadon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deri më tani nuk ka njoftim për seancë të re për ta përfunduar këtë proces që nisi dje me betimin e deputetëve të rinj.

Përveç kësaj, s’ka njoftim as për biseda mes partive politike – arsyetimi i kryeministrit në detyrë për lënien në gjysmë të seancës.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, fillimisht zvarriti njoftimin për caktimin e datës për seancën konstituive dhe kur e caktoi atë më 6 gusht – vetëm një ditë para se të përfundonte afati kushtetues – argumentoi se këtë e bëri për t’iu dhënë kohën e duhur partive politike për t’u marrë vesh për themelimin e institucioneve.

Por, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve e as disa të tjera përpara edhe pse diheshin thuajse plotësisht se si do të ndaheshin ulëset në Parlament, kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, s’i mjaftuan.

Ai dje kërkoi sërish “kohë shtesë” për bisedime me partitë politike për çështjen e Presidentit përkundër që afati përfundon sot në mesnatë.

Nuk dihet nëse do t’i dalë boll dita e sotme Kurtit për ta përmbushur qëllimin e kërkesës për shtyrje apo me “kohë shtesë” ka nënkuptuar kohë edhe përtej afatit të përcaktuar nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese.

Deri më tani nuk ka asnjë njoftim për seancë të re dhe s’ka njoftim as për ndonjë takim të ri.

Përderisa PDK u pozicionua në opozitë dhe Aleanca i caktoi gjashtë kushte në këmbim të votave, që kryesisht lidhen me pranimin e gazit amerikan, Kurti ka vetëm LDK’në nga partitë shqiptare për të dialoguar për të zgjidhur ngërçin institucional.

Por edhe me partinë e Lumir Abdixhikut ka “distancë” për ndarjen e pushteteve.

LDK po kërkon që në një marrëveshje të mundshme me Vetëvendosjen të jetë “e përfaqësuar”.

“Ka shumë afrime në shumë çështje, por ende kemi distancë në çështjen kryesore që është balanca demokratike. Ne kërkojmë balancë demokratike dhe kjo kërkon që LDK të jetë e përfaqësuar. Në këtë fazë, s’po flasim për emra individësh të caktuar, po flasim për balancë demokratike. Është e mirë për Kosovën që të ketë balancë demokratike, që palët të jenë të përfaqësuara dhe po ashtu që rezultati zgjedhor të respektohet në tërësi”, tha mes tjerash dje para seancës Abdixhiku.

Por, pas ndërprerjes së seancës, Kurti pati mesazh të qartë.

Ai tha se Presidenti ose Presidentja nuk i takon ndonjë partie dhe nëse do t’i takonte ndonjë partie atëherë “duhet parë numrat”.

E numrat janë në anën e Vetëvendosjes.

“LVV i ka 53, tri partitë tjera opozitare bashkë 47, apo 6 më pak se ne”.

Ky mospajtim mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje dhe këtë opsion e kishin përmendur edhe Kurti edhe Abdixhiku pas një takimi të dytë që e kishin pasë.

Ndërkohë, ambasadat e shteteve aleate të Kosovës kanë bërë thirrje që liderët politikë të punojnë bashkë e të gjejnë një zgjidhje për formimin e institucioneve duke u bazuar në Kushtetutë dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Krahas thirrjeve, ambasadat paralajmëruan për humbjet që po pëson Kosova nga bllokada politike.