Kosovë Lajme

Nëna e Astrit Deharit: Çdo përvjetor po bëhet më i rëndë, 10 vjet janë shumë

Në dhjetëvjetorin e vdekjes së djalit të saj, Astrit Deharit, nëna e tij Xhemile Dehari ka shprehur zhgënjimin me zvarritjen e zbardhjes së rastit.

Ajo ka thënë se çdo përvjetor po vjen duke u rënduar më shumë, duke shtuar se kishte shpresuar që paraqitja e saj e mëparshme televizive do të ishte e fundit ku do të fliste publikisht për këtë ngjarje tragjike.

“Çdo ditë është e vështirë, po përvjetori edhe më i rëndë. Çdo përvjetor po vjen duke u rënduar edhe më shumë. Duke u nisur prej asaj që u zgjat shumë. 10 ditë janë shumë, 10 muaj janë shumë e 10 vjet edhe më shumë”, ka deklaruar Dehari.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa rasti i tij vazhdon të jetë në qendër të kërkesave të familjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes.