Kosovë Kronikë Policore Lajme

Tre persona vdesin në rrethana të dyshimta brenda 24 orëve në Kosovë, policia jep detaje

Policia e Kosovës ka njoftuar për tri raste të hetimit të vdekjes të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në komunat Ranillug, Suharekë dhe Gjakovë.

Në fshatin Drenovc të Ranillugut, një person ka lajmëruar policinë pasi kishte gjetur pa shenja jete babanë e bashkëshortes së tij, i cili jetonte i vetëm. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për kryerjen e obduksionit.

Një tjetër rast është raportuar në Suharekë, ku një burrë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi dyshohet se kishte pësuar lëndime nga një rrëzim në gjendje të dehur. Ai fillimisht kishte marrë trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë, ndërsa vdekja e tij është konfirmuar nga ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në IML për obduksion.

Rasti i tretë është shënuar në fshatin Fshaj të Gjakovës, ku pranë Urës së Fshajt, në bregun e lumit, është gjetur trupi i pajetë i një gruaje, identiteti i së cilës ende nuk është përcaktuar.

Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi është dërguar në IML për ekzaminime të mëtejshme. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.