Kosovë Kronikë Policore Lajme

Polici Avdi Hoti nderohet me një letër falënderimi, pasi i shpëtoi jetën një 9-vjeçareje

Polici Avdi Hoti, njëherësh kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, ka pranuar një letër falënderimi nga familja Bytyqi, pasi me reagimin e tij i shpëtoi jetën një vajze 9-vjeçare.

Ngjarja ndodhi më 24 korrik në autostradë, pranë “Kronit të Mbretit”, kur familjarët ndaluan veturën e Hotit duke kërkuar ndihmë urgjente për vajzën, e cila kishte humbur vetëdijen dhe nuk merrte frymë.

Hoti i ofroi menjëherë ndihmën e parë, njoftoi policinë përmes numrit emergjent 192 dhe, falë ndërhyrjes së tij, arriti t’ia rikthente frymëmarrjen vajzës deri në mbërritjen e autoambulancës, e cila më pas e transportoi për trajtim mjekësor.

Në letrën e falënderimit, familja Bytyqi shprehu mirënjohjen e thellë për profesionalizmin, qetësinë dhe humanizmin e treguar nga Hoti, duke thënë se reagimi i tij ishte vendimtar për shpëtimin e jetës së vajzës.