Së fundi Lëvizja Vetëvendosje ka inkuadruar në fushatë edhe këso variantesh të të bërit propagandë duke shpallur heronjtë e saj, me këngëtarë me gjoja folklor që përvetësojnë rapsodi të moçme të heronjve por duke i zëvendësuar me personazhe të reja.
Disa xhirime janë shpërndarë tashmë nga media të afërta dhe llogari në rrjet ku dy zyrtarët e lartë të LVV’së ulur dëgjojnë derisa u thuren lavde nga këngëtarë.
Ishte Xhelal Sveçla që fillimisht i doli një xhirim ku këngëtarët ia thoshin këngës se si policia kosovare na qenkan “ushtarë të Xhelal Sveçlës” ndërsa ministri përballë rrinte dhe i dëgjonte. Agim Bahtiri ngjitur me të i mbante ison këngëtarëve me ngazëllim.
Me gjasë kjo i pëlqeu Agim Bahtirit që më pas angazhoi këngëtarët e tij që shkuan më larg se ata të Xhelalit dhe e përshkruanin atë sikur luftëtarin jo si gjeneralin që u printe. “Jam Agimi pushkë me qit” këndonin ata derisa Bahtiri kishte në prapavijë vilën e kriminelit Milan Radoicic në sfond.
