Botë Ekonomi Lajme

Iu vodhën mbi 6 miliardë dollarë për 20 minuta, Binance del me deklaratë0

Rreth 90% e aseteve në kriptomonedha të vjedhura pas një sulmi kibernetik ndaj Binance, një prej platformave më të mëdha në botë për tregtimin e kriptovalutave, janë rikuperuar, sipas një njoftimi të kompanisë.

Sulmi, i cilësuar si një prej vjedhjeve më të mëdha financiare në historinë moderne, rezultoi në humbjen e aseteve digjitale me vlerë mbi 6.3 miliardë dollarë (rreth 4.7 miliardë paund).

Pas incidentit, Binance pezulloi përkohësisht depozitat dhe tërheqjet për përdoruesit, ndërsa siguroi klientët se fondet e tyre ishin të mbrojtura dhe se kompania do të mbulonte plotësisht humbjet e shkaktuara nga sulmi.

Në një deklaratë të publikuar të shtunën, Binance bëri të ditur se 90% e aseteve të vjedhura janë rikuperuar, ndërsa kompania është në rrugën e duhur për të rikthyer shërbimin e tërheqjeve brenda afatit të paralajmëruar.

Pjesa e mbetur prej 10% përbëhet nga tokenë me likuiditet më të ulët, të cilët mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u siguruar në sasitë e nevojshme.

Binance theksoi se do të përballojë vetë të gjitha kostot financiare të incidentit, pa ia kaluar humbjet përdoruesve të platformës.

“Do të publikojmë një përditësim të mëtejshëm sapo të konfirmohen detajet”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Kompania bëri të ditur se përdoruesit mbulohen nga fondi i saj i sigurisë, i njohur si Secure Asset Fund for Users (SAFU), i krijuar në vitin 2018 për të mbrojtur klientët në raste ekstreme, përfshirë sulmet kibernetike dhe incidentet që prekin sigurinë e platformës.

Binance pretendon se ka më shumë se 335 milionë përdorues në mbarë botën.

Duke komentuar incidentin, bashkëdrejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng, tha se hetimet fillestare sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur pas komprometimit të laptopit të një inxhinieri të ekipit DevOps.

Ai sqaroi se sulmuesit nuk kishin shfrytëzuar thjesht lejet e një punonjësi dhe se nuk bëhej fjalë për një veprim të vetëm, por për një proces më kompleks sulmi.

Ari Redbord, drejtues i politikave në kompaninë e analizave të kriptomonedhave TRM Labs, e cilësoi incidentin si një sulm të jashtëzakonshëm, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga mënyra e realizimit.

Sipas tij, sulmuesit arritën të transferonin miliarda dollarë përmes tetë rrjeteve të ndryshme blockchain brenda vetëm 15 minutash.

Ai shtoi se grupi i njohur i hakerëve koreano-veriorë TraderTraitor, i cili është lidhur edhe me sulmin ndaj platformës Bybit, është përmendur gjithashtu në lidhje me këtë incident.

Dyshohet se hakeri përgjegjës ishte përgatitur për të paktën 36 orë përpara se të realizonte vjedhjen.