Kosovë Kronikë Policore Lajme

Baktere në sos të bardhë dhe vezë të dyshimta- Çka u gjet gjatë inspektimit që iu bë “Sach Pizza” pas rasteve të helmimit?

Pas mbi 70 rasteve të helmimit si pasojë e ushqimit të ngrënë në “Sach Pizza”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shkuar nëpër depo të kësaj kompanie për të bërë inspektimin e ushqimit. Në tri inspektime të kryera brenda një jave, inspektorët e ushqimit kanë gjetur disa vezë të dyshimta dhe bakterie koagulazë në sos të bardhë.

Gazeta ka arritur të sigurojë procesverbalet e inspektimeve të kryera nga inspektorët e AUV-it më datën 14, 22 dhe 24 korrik të këtij viti. Inspektimi ka filluar të bëhet nga AUV’i vetëm një ditë pas raportimeve për helmim të mbi 70 qytetarëve që kishin ngrënë nëpër pikat e “Sach Pizza”.

Më datën 14 korrik, inspektorët e AUV’it kishin inspektuar fabrikën e përpunimit të mishit të “Sach Pizza”. Përgjatë inspektimit, u konfirmua se operatori ekonomik posedon formularë të pranimit të lëndës së parë, raport të testimit të produkteve. Megjithatë, në procesverbal thuhet se janë vërejtur disa parregullsi, pa specifikuar se çka.

Më pas, inspektorët e AUV’it shkojnë të inspektojnë depotë e “Sach Pizza” më 22 korrik, ku gjatë inspektimit gjejnë se në një sasi të sosit të bardhë rezulton pozitiv në enzemën koagulazë. Koagulaza mund të shkaktojë helmim të ushqimit, ku brenda një deri në tetë orë fillojë simptomat. Në simptoma përfshihen të përziera dhe të vjella, dhimbje ose ngërçe barku, si dhe diarre.

Kësisoj, AUV merr vendim që “Sach Pizza” ta ndalojë prodhimin e produktit “sos i bardhë”.

Do t’i përmbahem ndalesave dhe udhëzimeve të dhëna nga inspektorët, e pranoj procesverbalin pa vërejtje“, thuhet në procesverbalin e AUV’it, të cilin e ka parë Gazeta.

Më 24 korrik, inspektorët e AUV’it shkojnë në inspektim sërish, ku në prezencë të tyre bëhet asgjësimi i 234 litrave sos të bardhë dhe 1070 kokrrave vezë të dyshimta.

Gjatë kontrollit të produktit “sos i bardhë”, ku u gjend një sasi e asgjësueshme, e cila ishte e bllokuar, në prezencë tonë u largua nga depoja dhe u hodh në kamionin (mikser) të kompanisë. Kamioni, në prezencë të inspektorëve, e demoloi produktin. Po ashtu, kompania bëri asgjësimin edhe të vezëve të pulave“, thuhet ndër të tjera në procesverbalin e AUV’it, të datës 24 korrik.

Gazeta iu është drejtuar me pyetje kompanisë për të marrë ndonjë koment lidhur me këto gjetje, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje

Ministria e Shëndetësisë e kishte konfirmuar se në mostrat e marra nga pacientët që dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit në “Sach Pizza” ishte identifikuar bakteri Salmonella, ndërsa në mostrate marra më pas nga ambientet e restoranteve nuk ishte gjetur prania e këtij bakteri.

“Në mostrat e pacientëve është konfirmuar bakteria Salmonella Enteritidis. Mostrat e ushqimit dhe strishot e ambientit kanë rezultuar negative”, u tha në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, MSH theksoi se mungesa e Salmonellës në mostrat e ushqimit të marra gjatë kontrollit nuk e përjashtonte mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët.

“Mungesa e Salmonellës në mostra në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator”, u tha në përgjigje.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës deri më 14 korrik u identifikuan 74 raste helmimi të lidhura epidemiologjikisht me konsumimin e ushqimit në disa pika të “Sach Pizza”.

Nga këto raste, 29 pacientë u hospitalizuan, ndërsa 45 u trajtuan në mënyrë ambulatore. Pacientët kanë shfaqur simptoma si barkqitje, të vjella, ethe, temperaturë dhe plogështi.

Nga ana tjetër, Sach Pizza ka kundërshtuar pretendimet se ushqimi i saj ka qenë i kontaminuar. Në një deklaratë për media, kompania ka bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nga institucionet kompetente nuk është identifikuar Salmonella.