Kosovë Kronikë Policore Lajme

Helmimi i rreth 20 personave si pasojë e sanduiçit në “Sach Pizza”, deklarohet policia

Rreth 20 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi, pasi kanë konsumuar sanduiçë në një nga pikat e rrjetit të restoranteve “Sach Pizza” në Prishtinë.

Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe që nga e premtja po marrin trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nga Klinika Infektive kanë konfirmuar se 16 persona janë të hospitalizuar, ndërsa tre prej tyre kanë pranuar trajtim të dielën.

“Të hospitalizuar janë 16 pacientë që nga e premtja, në mesin e tyre tre kanë ardhur këtë të diel”, ka deklaruar Izet Sadiku, shef i ndërrimit në Klinikën Infektive.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka thënë për Gazetën se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se më 10.07.2026, Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, ka thënë Pllana.

Familjarë të disa prej pacientëve kanë deklaruar se dyshojnë që sanduiçët mund të kenë qenë të ngrirë dhe më pas të ngrohur para konsumimit.