Kosovë Lajme Politikë

Protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt, Musliu: Asnjë parti s’ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, kundërshtoi përpjekjet për ta lidhur protestën për rastin e Arlinda Zekajt me interesa të caktuara politike, duke vlerësuar se kërkesa për drejtësi duhet të përfshijë të gjithë qytetarët.


Në një reagim të publikuar në Facebook, Musliu theksoi se pjesëmarrja në protestë nuk duhet të kushtëzohet nga përkatësia politike, por nga synimi për të kërkuar përgjegjësi për rastin dhe për të garantuar sigurinë e grave.

“Arlinda nuk është pronë e askujt. As vdekja e saj nuk mund të shndërrohet në mjet për të përjashtuar zërat e tjerë nga kërkesa për drejtësi. Protesta është e qytetarëve. Është e secilit që beson se jeta e një gruaje vlen më shumë se deklaratat, fjalimet dhe lotët e derdhur para kamerave”, ka shkruar Musliu.

Ajo bëri të ditur se do t’i bashkohet protestës për të kërkuar zbardhjen e përgjegjësive dhe masa konkrete ndaj kujtdo që mund të ketë dështuar në përmbushjen e detyrave institucionale.

“Unë nuk shkoj në protestë për të mbrojtur ndonjë parti. Shkoj për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që e mbrojnë jetën. Nëse ka pasur neglizhencë, shpërfillje të rrezikut apo dështim institucional, duhet të ketë hetim të paanshëm, përgjegjësi konkrete dhe masa ligjore ndaj secilit që ka dështuar në detyrën e tij. Jo vetëm premtime. Jo vetëm deklarata. Veprime!”, deklaroi ajo.

Deputetja shprehu kundërshtimin e saj edhe ndaj çdo tentative për të kufizuar pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, duke nënvizuar se zemërimi dhe kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të shfrytëzohen për të krijuar ndasi.

“Asnjë parti nuk ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen e Arlindës. Por asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve. Drejtësia nuk ndërtohet me ultimatume ndaj qytetarëve, me kërcënime për konfrontim apo me ndarje mes atyre që duhet të jenë bashkë. Ndërtohet duke e drejtuar revoltën aty ku duhet: te përgjegjësia e atyre që kanë pasur detyrë ta mbrojnë jetën”, shkroi Musliu.

Në përfundim, ajo ritheksoi se trajtimi i rastit të Arlindës dhe mbrojtja e grave nga dhuna kërkojnë angazhim të përbashkët shoqëror dhe institucional, pa u shndërruar në çështje të përfitimeve partiake./