Ish-zyrtarja shtetërore, Ajrina Gashi-Hamdiu ka ndarë një ngjarje për publikun duke e ndërlidhur me vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt.
Ish-anëtarja e bordit të KOSTT-it ka treguar se si ishte fyer nga një kryeshef i një ndërmarrje publike në Kosovë.
Të njëjtin rast e kishte paraqitur në të gjitha instancat, por që ajo thotë se asnjëherë s’kishte marrë përgjigjen e duhur.
Postimi i plotë:
Sot, pas kaq vitesh kam vendosur të ndaj publikisht një ngjarje që më ka ndodhur personalisht, për të cilën ekzistojnë incizime, dëshmi, transkripte, procesverbale dhe dokumente zyrtare.
Arsyeja pse kam vendosur të flas pikërisht sot lidhet me vrasjen tragjike të Arlindës dhe me reagimet që po i shoh këto ditë. Po shoh njerëz që shprehin dhimbje, kërkojnë drejtësi dhe flasin për mbrojtjen e grave, disa prej tyre në kohën kur unë kërkoja drejtësi për një rast të rëndë të poshtërimit dhe dhunës verbale, ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të Bordit të Drejtorëve, ndërsa disa sot mbajnë edhe pozita ministrash e zv.ministra dhe pikërisht këto reagime më kanë shtyrë të flas për një ngjarje që nuk e kam harruar asnjëherë.
Në vitin 2020, kur u emërova anëtare e Bordit të Drejtorëve në njërin prej institucioneve më kritike të vendit, ishte hera e parë që po angazhohesha në sektorin publik. Pas vetes kisha mbi 10 vite përvojë pune në sektorin privat, në pozita menaxheriale ku pavarësisht mospajtimeve, respekti mes drejtuesve dhe punonjësve kishte qenë gjithmonë pjesë e kulturës së punës. Asnjëherë gjatë gjithë atyre viteve nuk kisha përjetuar një fyerje të tillë ndaj një gruaje.
Mirëpo, që në ditën e parë të mandatit tim Kryeshefi i atëhershëm Ekzekutiv, një burrë që për nga mosha mund të ishte prindi im, gjatë një bisede me sekretarin e ndërmarrjes kishte përdorur ndaj meje një shprehje jashtëzakonisht vulgare dhe poshtëruese me përmbajtje seksuale. Nuk ishte kritikë për punën time apo aftësitë e mia profesionale, por një fyerje e rëndë që më poshtëronte si grua. Dhe ajo që e bënte edhe më shqetësuese këtë situatë ishte fakti se sekretari i atëhershëm në vend që ta kundërshtonte atë gjuhë ai ishte ZGËRDHIRË sikurse sot që po shohim ZGËRDHIRJE në parlament për vrasjet.
Për mua ishte shokuese të kuptoja se një gjuhë e tillë mund të përdorej nga drejtuesi i një institucioni me aq përgjegjësi. Por shqetësimi im nuk përfundonte te fyerja që më ishte bërë mua, mendoja për gratë dhe vajzat që punonin aty. Nëse një Kryeshef guxonte të fliste kështu për një anëtare të Bordit të Drejtorëve, çfarë mund t’i ndodhte një punonjëseje që varej drejtpërdrejt nga ai për vendin e saj të punës?
Vendosa ta ndiqja çështjen zyrtarisht si anëtarë e Bordit të Drejtorëve përmes institucioneve edhe pse mbështetjen e mora vetëm nga dy anëtarë të Bordit, pjesa tjetër kanë qenë për të ardhur keq!
Por dua ta sqaroj se këtë rrugë nuk e zgjodha sepse nuk kisha njerëz që mund të më dilnin në krah apo ta merrnin çështjen në duart e tyre. Nuk desha që kjo punë të zgjidhej me Kanun, hakmarrje apo përplasje personale. Desha që shteti im ta bënte punën e vet dhe që ai që kishte përdorur një gjuhë të tillë të përballej me përgjegjësinë që ia përcakton ligji. Mbi të gjitha, desha që gratë e tjera të mos kishin frikë ta raportonin një rast të ngjashëm apo edhe më të rëndë.
Rastin e paraqita në Prokurori, kishte incizime, transkripte dhe dëshmitarë, megjithatë Prokuroria e hodhi poshtë çështjen duke vlerësuar se nuk kishte elemente të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale. Për mua kjo ishte një zhgënjim i madh, por nuk u ndala. Vazhdova me procedura të tjera individuale ligjore, sepse nuk mund ta pranoja që një sjellje e tillë të kalohej në heshtje.
Në vitin 2021, së bashku me kolegët që më kishin mbështetur këtë rast e ngritëm edhe në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti dhe pikërisht aty mora një përgjigje që më bëri ta kuptoja se problemi ishte shumë më i madh sesa sjellja e një drejtuesi institucioni.
Njëra prej anëtareve të atëhershme të Komisionit, pasi dëgjoi shqetësimin tim, u përgjigj: “Eiiii, kështu muhabetesh ka çdo ditë në Kuvend.”
Ajo që e bënte edhe më të rëndë këtë deklaratë ishte fakti se vinte nga një grua, nga një grua që kishte marrë besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend dhe që në vend se ta kundërshtonte një gjuhë të tillë, po e arsyetonte me faktin se përdorej edhe aty.
Pra, në vendin ku miratohen ligjet që duhet t’i mbrojnë gratë nga dhuna, gjuha që i fyen dhe i poshtëron ato u konsideruaka muhabet i zakonshëm? Nëse një gjuhë e tillë normalizohet në Kuvend, çfarë mund të presim nga institucionet e tjera dhe nga shoqëria jonë?
Pikërisht këtu qëndron problemi, dhuna ndaj grave nuk është vetëm fizike, fyerja, poshtërimi, kërcënimi dhe denigrimi mund të përbëjnë dhunë psikologjike dhe të lënë pasoja të rënda. Kur një drejtues institucioni përdor një gjuhë të tillë, kur një zyrtar tjetër qesh dhe kur një përfaqësuese e popullit e arsyeton, atëherë nuk po flasim më vetëm për sjelljen e një individi, por për një kulturë që e toleron poshtërimin e gruas.
Kjo është arsyeja pse sot po e them, duke parë reagimet pas vrasjes së Arlindës, nuk mund të hesht. Nuk po e barazoj dhunën verbale me vrasjen, por po flas për mënyrën se si shoqëria dhe institucionet tona i trajtojnë gratë kur ato kërkojnë mbrojtje dhe drejtësi. Nuk mund të shprehim dhimbje vetëm kur ndodh tragjedia, ndërsa më parë t’i arsyetojmë sjelljet që ua cenojnë grave dinjitetin dhe sigurinë.
Atyre që sot shprehin dhimbje për Arlindën, ndërsa dikur e kanë relativizuar poshtërimin e grave, dua t’u them mos kërkoni drejtësi për gratë vetëm kur ato përfundojnë në varr, mbrojeni dinjitetin e tyre edhe kur janë gjallë.
Një grua nuk duhet të përfundojë në varr që zëri i saj të merret seriozisht.
P.S Kjo foto është bërë atë ditë kur e kam pranuar mandatin!
