Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ndaj debatit për gazin e lëngëzuar amerikan (LNG), duke mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë projekt. Ajo ka theksuar se Kosova nuk është kundër LNG-së amerikane, por se zgjidhja më e favorshme për vendin është importi përmes terminalit të Vlorës në Shqipëri, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi të ri.
Në një video të publikuar në Facebook, Rizvanolli tha se është e pasaktë të thuhet se institucionet e Kosovës refuzojnë gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, Qeveria që në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë për projektin e termocentralit të Vlorës me LNG, duke e konsideruar këtë alternativë si më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme.
“Ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojmë në Kosovë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV, e cila tashmë ekziston dhe nuk kërkon investime shtesë”, tha ajo.
Rizvanolli hodhi poshtë edhe pretendimet se Kosova ka refuzuar gazin apo gazsjellësin amerikan në vitin 2021, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë dhe se për projektin e asaj kohe do të japë sqarime të detajuara në një adresim tjetër.
Ajo theksoi se strategjia energjetike e Kosovës bazohet në shfrytëzimin e rezervave të qymyrit, burimeve të ripërtëritshme, kogjenerimit për ngrohje qendrore dhe efiçiencës së energjisë.
“Kosova është me fat që ka rezerva të mëdha të qymyrit, gjë që na ka mundësuar të mos krijojmë varësi nga gazi dhe të mbajmë çmimet e energjisë elektrike më të ulëta në rajon”, deklaroi ministrja.
Rizvanolli shtoi se LNG-ja nuk shihet si zëvendësim i burimeve vendore të energjisë, por vetëm si një burim shtesë në periudhat kur prodhimi vendor nuk është i mjaftueshëm.
Ajo theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe mbështet përpjekjet amerikane për të zvogëluar ndikimin e Rusisë në rajon përmes sektorit të gazit.
“Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus. Prandaj, përpjekjet për ta paraqitur këtë debat si zgjedhje mes Rusisë dhe Amerikës janë të pavërteta dhe të palogjikshme”, u shpreh ajo.
Në fund, ministrja tha se çdo vendim afatgjatë për gazin do të merret në mënyrë transparente, në konsultim me ekspertët dhe institucionet relevante, duke pasur për prioritet interesin afatgjatë të qytetarëve të Kosovës.
Reagimi i plotë:
E para: Kosova nuk ka zgjedhur importin nga shtetet e rajonit para prodhimit vendor të energjisë elektrike, ose para gazit amerikan, siç po aludohet. Përkundrazi: Ne kemi zgjedhur thëngjillin, e burimet e ripërtëritshme të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore, dhe efiçiencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona. E me gazifikim të qymyrit do të shtojmë kapacitete të reja që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje.
E dyta: Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është “kundër” gazit të lëngëzuar nga ShBA-të (LNG), siç thuhet. Ne qysh në vitin 2022 kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë me synim bashkëpunimin në termocentralin e Vlorës me LNG. Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë është shumë i natyrshëm; dhe, në vend të ndërtimit të gazsjellësit e infrastrukturës përcjellëse të gazit që merr kohë e ka kosto financiare, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje e ta transmetojmë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV që e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë.
Gjithashtu, nuk është e vërtetë që Kosova e ka “refuzuar gazin amerikan” ose “gazsjellësin amerikan” në vitin 2021, siç është bërë shprehi të thuhet. Por për draft-projektin e vitit 2021 do të flasim ndaras, më në detaje një ditë tjetër.
E treta: Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike.
Kosova është me fat që ka rezerva të qymyrit, gjë që na ka mundësuar që të mos krijojmë varësi nga gazi, por edhe të mbajmë çmimet më të ulëta në rajon, përkundër krizave globale në vitet e fundit. Sot, familjet në Shqipëri energjinë elektrike e paguajnë 31% më shtrenjtë sesa ne; ato në Maqedoni të Veriut 30% më shtrenjtë e në Serbi 25% më shtrenjtë. Ne synojmë që Kosova të vazhdojë të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Prandaj edhe LNG-në e konsiderojmë jo si zëvendësim të burimeve tona, por vetëm si një burim shtesë për kohët kur burimet vendore nuk mjaftojnë. Nga analizat që kemi bërë, del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes TC në Vlorë.
E katërta: Pavarësisht këtyre diskutimeve, nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të ShBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore. Sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e ShBA-ve për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajon përmes furnizimit me gaz.
Shtetet si Serbia, Maqedonia e Veriut ose Bosnja e Hercegovina që kanë infrastrukturë gazi dhe varësi nga gazi rus, patjetër që duhet të zgjedhin mes Rusisë dhe Amerikës. Por, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si “anti-amerikan” ose për të shtruar pyetjen “me Rusinë a me Amerikën” është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë m³ gaz rus. Kosova kurrë nuk e ka zgjedhur Rusinë – as në energji e as në asnjë fushë tjetër.
E pesta: Diskutimet e vendimet afatgjata si ky që ka të bëjë me import të gazit për dekadat në vijim, ndërkohë që nuk kemi infrastrukturë e përvojë, e sektori i energjisë në Evropë po ndryshon e modernizohet dita-ditës, janë shumë përtej politikës ditore. Këto diskutime më së paku duhet të hapen në euforinë e fushatës zgjedhore. Si gjithmonë, ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë e më të lartë, bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat, ekonomike e politike. Përfundimisht, vendimet do të jenë transparente dhe në përputhje me interesin afatgjatë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
