Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, në debatin e nënkryetarëve, i është drejtuar Glauk Konjufcës, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mbrojtje të Martin Berishajt.
Ismaili e quajti Berishajn “sekser të energjisë elektrike me Serbinë”, duke thënë se ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë dhe ka tërhequr qindra mijëra euro nga bankat e Kosovës.
“Martin Berishaj është sekser i energjisë elektrike. Albin Kurti e ka mik, e mbështet dhe e mbron. Ai ka përfituar para nga GEN-I e Serbisë, ka tërhequr qindra mijëra euro dhe është sjellë me pasaportë diplomatike, titull që ia ka dhënë qeveria e Vetëvendosjes”, tha Ismaili.
Sipas tij, Berishaj “është ende i lirë dhe ende ambasador”, ndërsa shtoi se pushteti aktual e ka mbrojtur atë edhe pas dyshimeve për përfitime në kohën kur qytetarët përballeshin me fatura të larta të energjisë.
“Një njeri që ka tregtuar dhe ka përfituar në kohën e faturave të mëdha, ka tërhequr nga bankat e Kosovës qindra mijëra euro që nuk dihet ku kanë shkuar, dhe ju keni dalë e keni mbrojtur”, u shpreh Ismaili.
