Kosovë Lajme

Trepça suspendon dy punonjës, dyshohet se organizuan transport të xehes jashtë orarit

Kryeshefi Ekzekutiv i Trepça Sh.A. ka marrë vendim për largimin e përkohshëm nga puna të dy punonjësve të Njësisë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, vendimi është nxjerrë më 10 gusht 2026 dhe përfshin punonjësit me inicialet Z.R. dhe H.K.

“Punonjësit e lartcekur largohen përkohësisht nga puna duke filluar nga data 10.08.2026, deri në marrjen e vendimit nga Komisioni Disiplinor”, thuhet në njoftimin e Trepçës.

Sipas ndërmarrjes, masa është marrë pas dyshimeve të bazuara se dy punonjësit kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet që u ishin dhënë.

“Vendimi është nxjerrë pas dyshimeve të bazuara se punonjësit në fjalë kanë vepruar në kundërshtim me autorizimet e dhëna, duke organizuar transportimin e xehes jashtë orarit të rregullt të punës”, thuhet më tej.

Trepça ka bërë të ditur se për këto veprime ekziston dyshimi për kryerjen e shkeljeve të rënda të detyrave të punës, të përcaktuara me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.

“Për rrjedhojë, ekziston dyshimi se janë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, sipas nenit 10, paragrafëve 1.1, 1.3 dhe 1.9 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të Punonjësve të Trepça Sh.A.”, thuhet në njoftim.

Dy punonjësit do të qëndrojnë të larguar përkohësisht nga puna deri në marrjen e vendimit nga Komisioni Disiplinor.