Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot tubim elektoral në Mitrovicë, ku ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme që gëzon nga qytetarët e këtij qyteti dhe rëndësinë e zgjedhjeve të 7 qershorit për të ardhmen e Kosovës.
“Jemi në Mitrovicën time. Qytetarët e Mitrovicës më kanë besuar gjithmonë. Dhe më besojnë edhe tani për Kosovën. Më 7 qershor, Mitrovica duhet ta japë kontributin e saj. Më 7 qershor, Kosova duhet të ndryshojë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë një mundësi për t’i dhënë fund krizës me të cilën po përballen qytetarët dhe për të hapur një kapitull të ri të zhvillimit ekonomik, stabilitetit institucional dhe rikthimit të shpresës.
Hamza ka rikujtuar se programi i PDK-së parasheh uljen e çmimeve dhe tatimeve, rritjen e pagave dhe pensioneve, mbështetje më të madhe për bizneset vendore, investime strategjike në energji, infrastrukturë dhe teknologji, si dhe ndërtimin e një sistemi shëndetësor më cilësor dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për një qeveri që fokusohet te problemet reale të njerëzve, te mirëqenia e familjeve, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
“Mitrovica dhe e gjithë Kosova meritojnë më shumë. Meritojnë zhvillim, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë për secilin qytetar. Më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën”, ka përfunduar Hamza.
