Kosovë Lajme

Hovenier: Pozita e Kosovës në SHBA ka pësuar një goditje të vërtetë

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar përkeqësim të ndjeshëm gjatë 16 muajve të fundit.

Në një intervistë për median serbe “Kosovo Online”, Hovenier tha se Uashingtoni pret nga qeveria e ardhshme të jetë partnere e besueshme.

Sipas tij, prioritetet amerikane mbeten forcimi i institucioneve demokratike, luftimi i korrupsionit dhe realizimi i reformave të vonuara në qeverisje.

Ai tha se Uashingtoni vëzhgon me kujdes zhvillimet politike në Kosovë dhe aftësinë e institucioneve për të funksionuar normalisht.

“Uashingtoni do të shikojë nga afër nëse qeveria e re është në gjendje të zgjedhë një president, të formojë koalicion të qëndrueshëm dhe të kryejë funksionet bazë të qeverisjes”, deklaroi Hovenier.

Ish-ambasadori theksoi se SHBA-ja ka ruajtur neutralitetin gjatë proceseve zgjedhore në Kosovë.

“Uashingtoni nuk po mbështet parti apo kandidatë në zgjedhjet e brendshme të Kosovës”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, administrata amerikane ka dërguar sinjale të qarta politike për atë që pret nga çdo qeveri e ardhshme.

Hovenier e cilësoi pezullimin e dialogut strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, vjeshtën e kaluar, si një mesazh të fortë politik.

Duke folur për raportet bilaterale, ai u shpreh se pozita e Kosovës në kryeqytetin amerikan është dobësuar.

“Pozita e Kosovës në Uashington ka pësuar një goditje të vërtetë gjatë këtyre 16 muajve të fundit”, deklaroi Hovenier.

Ai ia atribuoi këtë situatë zgjedhjeve të përsëritura, vështirësive për zgjedhjen e presidentit dhe mbështetjes në qeveri në detyrë.

“Këto kanë gërryer besimin se Prishtina është në gjendje të përmbushë disa nga zotimet e saj”, tha ai.

Sipas tij, ngërçi institucional ka pasur edhe pasoja financiare.

“Kosova rrezikon të humbasë miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe burime të tjera nëse reformat kyçe nuk miratohen”, tha Hovenier.

Ai shtoi se rikthimi i besimit do të kërkojë më shumë sesa deklarata politike.

“Qeveria e re duhet të tregojë se është serioze”, u shpreh ai.

Hovenier kërkoi zgjedhjen e presidentit, formimin e një koalicioni të qëndrueshëm, miratimin e buxhetit dhe hapa të dukshëm për uljen e tensioneve.

Megjithatë, ai tha se ekziston gatishmëri në Uashington për një angazhim të ri me Kosovën.

“Dëshira në Uashington për t’u riangazhuar duket të jetë shumë reale”, tha ai.

Ai paralajmëroi se kjo mundësi nuk do të mbetet e hapur pafundësisht.

“Qeveria e re duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të rindërtuar besimin mes Kosovës dhe partnerëve të saj, përfshirë SHBA-në”, deklaroi Hovenier.

Sipas tij, të njëjtat shqetësime ekzistojnë edhe në raport me Bashkimin Evropian.

Në fund, ai theksoi se SHBA-ja e njeh dhe e respekton sovranitetin e Kosovës, por pret që ajo të luajë rol konstruktiv në rajon.

“Ne e njohim dhe e respektojmë sovranitetin e Kosovës. E refuzojmë çdo pretendim se Kosova është diçka tjetër përveç një shteti sovran, të pavarur dhe multietnik”, tha Hovenier.