Qeveria në detyrë e Kosovës ndau edhe 2 milionë euro shtesë për subvencionimin e linjave ajrore për mërgatën, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 7 qershorit. Ky vendim nuk mund të quhet ndryshe përveçse “një tentim i hapur për blerje votash me para të shtetit”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tentoi ta arsyetojë vendimin duke thënë se subvencionimi lidhet me rritjen e çmimit të kerozinës dhe ruajtjen e fluturimeve gjatë sezonit veror.
Sipas tij, nëse anulohen fluturimet, bie edhe numri i pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës dhe dëmtohen të hyrat e shtetit.
Por ky arsyetim nuk po bind askënd.
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria.
Përparim Gruda deklaroi se bëhet fjalë për “keqpërdorim të pastër të parasë publike për interesa partiake”, duke kërkuar që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetime për këtë vendim.
Akuza të ashpra erdhën edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami, tha se “kurrë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur keqpërdorim kaq i madh i buxhetit në prag zgjedhjesh”, duke akuzuar qeverinë se po tenton ta blejë heshtjen dhe votën e qytetarëve me paratë publike.
Zyrtari i Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, e cilësoi vendimin si “qershia mbi tortë” në keqpërdorimin e resurseve publike për interesa elektorale.
Sipas tij, pushteti po e shndërron garën zgjedhore në proces të pabarabartë duke përdorur paranë publike për avantazh politik.
Ndërkohë, analisti politik Shenoll Muharremi shpërtheu me gjuhë të ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti.
Ai i quajti anëtarët e ekzekutivit “horra” dhe “abuzues me paranë publike”, duke akuzuar qeverinë se po ndan miliona për vota, ndërsa sipas tij nuk ka ndarë asnjë cent për bujqit e fermerët që po përballen me rritjen enorme të çmimeve të naftës.
Debati për 2 milionët e biletave tashmë ka kaluar përtej kritikave politike dhe po shihet si një test serioz për institucionet e drejtësisë, derisa presioni publik për hetime po rritet çdo ditë.
