Në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, thuhet se Agim Bytyqi, me profesion jurist dhe me detyrë Udhëheqës i zyrës për menaxhimin e lëndëve, dyshohet se ka krijuar dosje fiktive për t’i sjellë dobi pasurore vetes dhe të tjerëve.
Sipas dosjes, dyshimet kryesore lidhen me një kontratë të rreme të vitit 1966 për këmbim pronash në Matiqan dhe Çagllavicë.
“I pandehuri Agim Bytyqi, ka arritur që dokumentin e falsifikuar ta legjitimojë në mënyrë të kundërligjshme, duke e vulosur dhe paraqitur atë si dokument autentik të arkivës së gjykatës, ndonëse i njëjti nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare,” thuhet në kërkesën e Prokurorisë.
Bytyqi para hetuesve është mbrojtur duke thënë se vërtetimin e këtyre dokumenteve e ka bërë duke u bazuar në procedurat administrative dhe se origjinalet, sipas tij, ndodheshin në arkiv, ndonëse ai i mbante në zyrë.
Prokuroria pretendon se ky veprim ka shërbyer si bazë që të dyshuarit e tjerë, përfshirë zyrtarë në Agjencinë Kadastrale, të bartnin pronat në emër të personave privatë.
Për këto veprime, ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Gjykata ka refuzuar kërkesën për masën e paraburgimit, duke caktuar ndaj të dyshuarve masën e paraqitjes në stacionin policor.
