Organizata Botërore e Shëndetësisë, njoftoi sot se vatra e hantavirusit e raportuar në një anije turistike, e cila ka shkaktuar deri tani vdekjen e tre personave, aktualisht nuk përbën as fillimin e një epidemie dhe as të një pandemie.
‘Ky nuk është fillimi i një epidemie. Nuk është fillimi i një pandemie, por është një mundësi ideale për të kujtuar se investimet në kërkimin e patogjenëve të tillë janë jetike, pasi trajtimet, testet diagnostikuese dhe vaksinat shpëtojnë jetë”, deklaroi në Gjenevë për gazetarët Maria Van Kerkhove, drejtuese e Departamentit të Parandalimit dhe Përgatitjes për Epidemitë dhe Pandemitë në OBSH.
OBSH theksoi se përmasat e kësaj vatre infeksioni nga hantavirusi duhet të mbeten të kufizuara, nëse zbatohen masat e shëndetit publik dhe nëse vendet tregojnë solidaritet.
“Ne besojmë se ky episod do të mbetet i kufizuar nëse masat e shëndetit publik zbatohen dhe nëse vendet tregojnë solidaritet”, deklaroi për gazetarët Abdirahman Mahamoud, drejtor operacionesh në Departamentin e Alarmit dhe Reagimit për Emergjencat Shëndetësore të OBSH-së, ndërsa raste janë konfirmuar në disa vende.
Në të njëjtën kohë, OBSH njoftoi se Argjentina po dërgon në pesë vende rreth 2.500 komplete për testimin e hantavirusit, i cili është bërë epiqendër e një alarmi ndërkombëtar shëndetësor pas zbulimit të një vatre infeksioni në një anije turistike.
“Organizuam dërgimin e 2.500 kompleteve diagnostikuese nga Argjentina drejt laboratorëve në pesë vende”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
Ai shtoi gjithashtu se OBSH ka “informuar” 12 vende të cilave u përkasin 29 pasagjerë të anijes ku u zbulua vatra e hantavirusit. Këta pasagjerë kishin zbritur gjatë një ndalese më 24 prill në ishullin britanik të Shën Helenës.
“OBSH ka informuar 12 vendet nga të cilat qytetarët e tyre zbritën në Shën Helenë. Këto 12 vende janë: Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Shën Kitts dhe Nevis, Singapori, Suedia, Zvicra, Turqia, Britania dhe SHBA”, deklaroi Ghebreyesus për gazetarët.
