Investigime Lajme

Drejtori i “Ziraat Bank” fshehu shtetësinë serbe nga BQK`ja

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se drejtori i një prej dhjetë bankave komerciale në vend, me prejardhje turke, posedon edhe nënshtetësi të Serbisë, të cilën e ka mbajtur sekret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Ky akt mund të ketë implikime në procesin e transformimit ligjor të bankës.

Drejtori i një prej dhjetë bankave komerciale të licencuara në Kosovë posedon nënshtetësi të Serbisë, të cilën nuk e ka deklaruar para autoriteteve rregullatore.

Kenan Bozkurt, bankier turk dhe drejtor ekzekutiv i Ziraat Bank Kosova Sh.A., ka nënshtetësi të Republikës së Serbisë që nga viti 2018, tregojnë dokumentet zyrtare.

Paparaci ka siguruar dokumentin identifikues të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Serbisë për Kenan Bozkurt. Dokumenti është i vlefshëm deri në vitin 2028.

Para se të emërohej drejtuesi më i lartë i Ziraat Bank Kosova Sh.A, Bozkurt punoi për rreth shtatë vite në Serbi. Nga 2015 deri në 2022, ai ushtroi pozitën e kryetarit të Bordit të Bankës Halkbank në Beograd. Ngjashëm si Ziraat Bank Kosova Sh.A., edhe Halkbank është në institucion në pronësi të shtetit turk.

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar se ai nuk e ka deklaruar shtetësinë e tij serbe pranë Bankës Qendrore (BQK), institucionit që rregullon dhe mbikëqyr sektorin bankar në vend, edhe pse obligohet sipas Ligjit.

Ligji dhe rregulloret në fuqi obligojnë drejtuesit e lartë të bankave që të deklarojnë të gjitha shtetësitë që posedojnë gjatë procesit të miratimit për pozita menaxheriale. Ky proces, i njohur si vlerësimi “Fit and Proper”, përfshin verifikimin e plotë të së kaluarës profesionale dhe integritetit të kandidatëve për pozita drejtuese në institucionet bankare.

Pyetësori “Fit and Proper” për Drejtorë dhe Menaxherë të Lartë, obligon ata që të paraqesin “të gjitha shtetësitë që posedojnë aktualisht” dhe paraqitjen e të dhënave për secilën shtetësi.

Sipas rregulloreve të BQK-së, drejtuesit duhet të jenë “fit and proper”. Duhet të deklarojnë të gjitha interesat dhe lidhjet relevante. Çdo shtetësi duhet të raportohet.

Por, Bozkurt nuk i ka përfillur këto obligime. Ka provuar të mashtrojë autoritetet kosovare.

Në një komunikim zyrtar muajin e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës i konfirmoi Paparacit se drejtori ekzekutiv i Ziraat Bank Sh.A. nuk ka deklaruar shtetësi tjetër përveç asaj turke.

“Sipas dokumentacionit të dorëzuar gjatë procesit të miratimit, për drejtor i degës në Kosovë i Bankës Ziraat, pjesë e Bankës Ziraat në Turqi, si bankë në pronësi publike (shtetërore), organet përkatëse të Bankës amë në Turqi, si pronare për z. Kenan Bozkurt, kanë deklaruar vetëm shtetësinë e Republikës Turke, si dhe përvojën e tij në disa shtete përfshirë ato të regjionit”, tha Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje me shkrim.

Institucioni përgjegjës për rregullimin e sektorit bankar në vend tha se nuk posedon informata të tjera për shtetësitë e drejtorit të Zirat Bank Sh.A., anash atyre të deklaruara gjatë procesit të miratimit për pozita të larta drejtuese.

“Pra, aty nuk ka pasur dëshmi apo informacion se posedon shtetësi tjetër përveç asaj që ka paraqitur në formularët zyrtarë. Rrjedhimisht, duke qenë se bëhet fjalë për një drejtues të një dege të bankës së huaj (në pronësi të shtetit), ku edhe kërkesat rregullatore ishin më të ulëta për shkak të faktit se përgjegjësia kryesore drejtuese bie mbi organet e bankës mëmë, vendimmarrja është bazuar në informacionin e ofruar në kuadër të aplikimit dhe në përputhje me rregulloret në fuqi për pozitat menaxheriale”, tha BQK-ja.

Fshehja e shtetësisë “mund të konsiderohet mashtrim ndaj autoritetit rregullator”, sipas rregulloreve në fuqi të BQK-së.

Dhe, BQK-ja ka nisur një hetim për rastin, ka konfirmuar Zyra për Media e Bankës Qendrore në përgjigjet me shkrim për Paparacin muajin e kaluar.

“Megjithatë, çështja që ju keni ngritur lidhur me pretendimet për mos shpalosje të plotë të informatave mbi shtetësinë e dytë, do të jenë subjekt i verifikimeve shtesë dhe adresimit përkatës nga ana e BQK-së, nëse ato konsiderohen të rëndësishme në kualifikimin e përshtatshmërisë se menaxhereve të lartë, veçanërisht me kërkesat e reja të Ligjit të ri për Bankat, i cili ka hyrë në fuqi nga 27 janar 2026”, tha BQK-ja.

Akti i drejtorit Bozkurt mund të ketë implikime në procesin e transformimit ligjor të “Ziraat” nga degë e huaj në bankë plotësisht të themeluar dhe të licencuar si e pavarur në Kosovë.

Deri në vitin 2025, banka që është në pronësi të shtetit turk operonte si degë e huaj bankare në Kosovë nën emrin “T.C. Ziraat Bankasi A.S – Dega në Kosovë”. Tash e një vit, institucioni është në proces të transformimit si bankë e themeluar në Kosovë (Ziraat Bank Kosova Sh.A).

Në kuadër të këtij procesi, institucioni duhet të marrë miratimin e BQK-së për personat e emëruar në pozita drejtuese.

“Gjatë këtij procesi duhet të emërohen organet drejtuese të plota sipas kërkesave për banka të themeluara në Kosovë (që janë shumë më përmbajtjesore krahas atyre që aplikoheshin për degët e bankave të huaja)”, sipas BQK-së.

Paparaci ka kërkuar muajin e kaluar sqarime nga Ziraat Bank Kosova Sh.A për arsyen e mos-deklarimit të shtetësisë serbe të drejtorit ekzekutiv të saj pranë BQK-së, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë ende përgjigje nga institucioni.