Kosovë Lajme

Vrasja në Gjakovë: Familja Brahimaj ia shtrin dorën e pajtimit familjes Sadrija

Familja Brahimaj ia shtriu dorën e pajtimit familjes Sadrija, pas ngjarjes tragjike ku i riu Rexhë Brahimaj, u ther për vdekje nga i dyshuari Qazim Sadrija, i cili u vetëdorëzua dje në polici në Gjakovë.

Lajmin për këtë veprim e dha ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

“Pas ngjarjes tragjike që ndodhi në Gjakovë, sot familja Brahimaj nderoi veten dhe kombin tonë duke i shtrirë dorën e pajtimit familjes Sadriu nga Stublla e Gjakovës. Bashkë me bacën Shaqë u ndjemë tepër të nderuar nga nga familje heroike e Naser Brahimajt. Mehmeti dhe Skenda, të cilët, edhe pse humbën mashkullin e familjes, treguan vlera shqiptare dhe dëshmuan se nuk ka plumb për vëllezërit shqiptarë. Qoftë kjo e fundit që na ndodh. Familjes emblemë Brahimaj, ngushëllime!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook duke e shoqëruar edhe me video momentin e pajtimit.

30 vjeçari Rexhë Brahimaj, do të varroset sot në fshatin Jabllanicë. Sipas njoftimit të familjes, ceremonia mortore do të mbahet me fillim nga ora 17:00.