Investigime Kosovë Lajme

Kusari-Lila anulon tenderin 1 milionësh të Rozeta Hajdarit: Si plotësonte kriteret (DOKUMENT)

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ia ka gjuajtur në “mbeturina”, punën paraardhses së saj, Rozeta Hajdarit, me një vendim të fundit.

Kusari-Lila, që është në koalicion me Vetëvendosjen, partia nga vjen edhe Hajdari, ka vendosur ta anulojë tërësisht një tender në vlerë prej 1 milion euro që e kishte shpallur ish-ministrja Hajdari për ndërtimin e Parkut Industrial në Opterushë.

Ajo çka është e habitshme për vendimin e Kusari-Lilës, projektin e ish-ministres Hajdari e ka quajtur si diçka të tejkaluar, që nuk i plotëson kriteret.

Në arsyetimin e anulimit të tenderit përmendet se projekti, përveç që nuk i plotëson standardet aktuale, është stërzgjatur dhe si i tillë e ka humbur edhe efektin dhe qëllimin për të cilin ishte iniciuar.

Ndërtimi i Infrastrukturës në Parkun Industrial në Opterushë – Faza 2, me vlerë të parashikuar prej 1,013,360.36 euro, i cili ishte shpallur më 9 prill 2024, pas më shumë se një viti procedura të prokurimit, ministria ka marrë vendim që ta ndërpresë krejtësisht këtë aktivitet më 24 prill 2026, ndërsa njoftimi për anulim është publikuar më 30 prill 2026.

Sipas dokumentit që e ka siguruar Periskopi, në këtë tender kanë marrë pjesë pesë operatorë ekonomikë. Oferta më e ulët ka qenë në vlerë prej 800 mijë euro nga grupi i operatorëve “Benita Company”, “Flamuri V” dhe “ALKO-IMPEX”. Ndërsa ofertat tjera janë dorëzuar nga “Pro & Co Group” me rreth 848 mijë euro, nga grupi “Agim Morina B.I.” dhe “Ëorld Medium” me mbi 911 mijë euro, nga “N.P.T. Bamirs” dhe “Famis Co-HC” me mbi 932 mijë euro, si dhe nga “Rahovica Commerce” dhe “Ndërtimi ING” me rreth 999 mijë euro.


Megjithatë, pavarësisht se kishte konkurrencë dhe ofertat tashmë ishin hapur, ministria ka vlerësuar se procedura nuk mund të vazhdojë më tej. Në arsyetimin për anulim thuhet se ka kaluar një periudhë e konsiderueshme kohore nga shpallja e tenderit dhe gjatë kësaj kohe projekti e ka humbur qëllimin fillestar. Një tjetër arsye e përmendur është se marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe ministrisë ka skaduar, ndërsa në të njëjtën kohë nuk ekzistojnë më zotime financiare për realizimin e projektit.

Një nga elementet kyçe që del në vendim është edhe fakti se projekti nuk ka përfshirë elemente mjedisore. Sipas ministrisë, zhvillimet dhe studimet e fundit në fushën e parqeve industriale kërkojnë që këto projekte të përfshijnë edhe komponentë të gjelbër, në përputhje me standardet bashkëkohore. Kjo ka bërë që projekti ekzistues të konsiderohet i papërshtatshëm në formën aktuale dhe të kërkojë një rishikim të thellë përpara se të procedohet më tej.

Tenderi ishte zhvilluar me procedurë të hapur dhe me kriter dhënieje çmimin më të ulët, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka kaluar nëpër disa faza pa arritur të finalizohet. Vetë fakti që nga prilli i vitit 2024 deri në prill të vitit 2026 projekti nuk ka arritur të zbatohet, sipas arsyetimit të ministrisë, tregon se procesi ka zgjatur më shumë se sa është paraparë dhe nuk i përgjigjet më nevojave aktuale.

Në vendimin për anulim thuhet se, duke marrë parasysh të gjitha këto rrethana, përfshirë skadimin e marrëveshjeve, mungesën e mjeteve financiare dhe nevojën për standarde të reja, procedura e prokurimit duhet të ndërpritet dhe projekti të rishikohet në tërësi. Nëse në të ardhmen arrihet një marrëveshje e re me Komunën e Rahovecit, atëherë projekti do të duhet të hartohet nga e para, duke përfshirë edhe elementet që aktualisht mungojnë./Periskopi/