Ekonomi Investigime Kosovë Lajme

Procedura pa leje, gabime milionëshe: Auditimi zbulon shkelje në tenderin 18.1 milionësh për Sheshin “Xhorxh Bush”!

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shkelje në projektin për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë. Sipas auditorëve, Komuna nënshkroi kontratë me një operator ekonomik që duhej të eliminohej nga procedura e prokurimit për shkak të gabimeve aritmetike në ofertë, ndërsa njëkohësisht zhvilloi procedurat e prokurimit dhe lidhi kontratën për projektin në vlerë prej 18,162,896 euro pa i siguruar paraprakisht lejet dhe pëlqimet e nevojshme për nisjen e punimeve. Tenderi ishte fituar nga grupi i operatorëve ekonomikë “Salillari”, “Gjini Construction Sh.P.K.” dhe “Hidroterm Sh.P.K.”.

Sipas raportit të auditimit, kontrata për realizimin e projektit në vlerë prej 18,162,896 euro ishte nënshkruar më 6 shkurt 2025, ndërsa pëlqimi nga Drejtoria e Urbanizmit për lejimin e zhvillimit të punimeve ndërtimore ishte lëshuar vetëm më 10 mars 2025.

Auditimi thekson se, edhe pas dhënies së këtij pëlqimi, nuk ishte lejuar realizimi i punimeve strukturore në Sheshin Qendror, pasi ende mungonin një sërë pëlqimesh dhe autorizimesh të domosdoshme.

Sipas ZKA-së, për realizimin e plotë të projektit duhej të siguroheshin marrëveshjet për parcelat me posedim individual, pëlqimi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore (QRTK), pëlqimet për mbrojtje nga zjarri, leja mjedisore komunale, si dhe autorizimet nga institucionet relevante si KEDS, KUR, Telekomi dhe Termokosi.

Përkundër kësaj, procedura e prokurimit dhe nënshkrimi i kontratës ishin zhvilluar para sigurimit të lejes ndërtimore dhe pa u plotësuar të gjitha kushtet administrative dhe ligjore“, thuhet në raportin e auditimit.

Po ashtu, Rregullorja për Prokurimin Publik obligon autoritetet kontraktuese që specifikat teknike të kontratave të punëve të përgatiten në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe, kur kërkohet, të përfshijnë të gjitha lejet dhe autorizimet e nevojshme për ekzekutimin e punimeve.

Nënshkrimi i kontratës me kompani të papërgjegjshme

Përveç mungesës së lejeve, ZKA ka evidentuar edhe parregullsi gjatë vlerësimit të ofertës së operatorit ekonomik që fitoi tenderin.

Sipas auditimit, gjatë shqyrtimit të paramasës dhe parallogarisë është konstatuar se në ofertën fituese nuk ishin përfshirë në përllogaritjen e nëntotaleve dy pozicione të rëndësishme:

  • Punët e strukturës së Katedrales në vlerë prej 1,176,403 euro;
  • Punët e fontanës në vlerë prej 103,056 euro.

Si rezultat, operatori ekonomik kishte ofertuar projektin me vlerë 18,162,896 euro, mirëpo pas përfshirjes së këtyre pozicioneve, vlera reale e ofertës arrinte në 19,442,355 euro.

Auditimi llogarit se diferenca prej 1,279,459 euro, ose rreth 7 për qind e vlerës së ofertës, tejkalon dukshëm pragun maksimal prej 2 për qind të lejuar nga Rregullorja për Prokurimin Publik për korrigjimin e gabimeve aritmetike.

Sipas rregullores, në raste kur gabimi tejkalon kufirin prej ±2 për qind, operatori ekonomik duhet të eliminohet nga procedura e prokurimit.

Megjithatë, sipas ZKA-së, komisioni i vlerësimit nuk i kishte identifikuar këto gabime, kishte rekomanduar operatorin ekonomik për shpërblim dhe kontrata ishte nënshkruar mbi bazën e ofertës së pakorrigjuar.

Komisioni i vlerësimit nuk kishte identifikuar dhe trajtuar gabimet aritmetike sipas kërkesave të rregullores, kishte rekomanduar operatorin ekonomik për shpërblim të kontratës dhe kontrata ishte nënshkruar bazuar në vlerën e pakorrigjuar të ofertës“, thuhet në raport.

Sipas auditorëve, kjo kishte ndodhur për shkak të një formule të gabuar në paramasë, e cila kishte përjashtuar këto pozicione nga përllogaritja e nëntotaleve, por edhe për shkak të mosidentifikimit dhe mosvlerësimit të drejtë të gabimeve aritmetike nga komisioni vlerësues.

Gjatë verifikimit fizik të projekteve kapitale janë identifikuar mangësi që lidhen me zbatimin e kontratave dhe mbikëqyrjen e punimeve.

Te projekti “Ndërtimi i sheshit Xhorxh Bush”, kontrata e nënshkruar më 06.02.2025 ë vlerë prej 18,162,896€, gjatë verifikimit fizik të kryer më 07.05.2026, është vërejtur se menaxheri i projektit i angazhuar në terren nuk ishte i njëjtë me personin e deklaruar në ofertën e operatorit ekonomik fitues. Për këtë ndryshim nuk ishte siguruar kërkesë apo aprovim për zëvendësimin e stafit kyç“, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA vlerëson se këto parregullsi rrisin rrezikun e zhvillimit të procedurave të prokurimit pa plotësuar kushtet ligjore dhe të lidhjes së kontratave me operatorë ekonomikë që nuk i plotësojnë kërkesat e parapara në legjislacionin për prokurim publik.