Lajme Shqipëri

“Kam qenë rreth 30km/h”, tragjedia me dy të mitur në Durrës – Shoferi pranon edhe konsumimin e alkoolit

Nikollë Rradaçi i cili aksidentoi për vdekje dy të miturit dhe plagosi rëndë një tjetër në Durrës, të dielën, u la në burg.

Para togave të zeza ai dëshmoi se në mëngjes kishte dalë nga shtëpia për të marrë një vegël pune te një shok.

Ai pranon se ka qenë nën efektin e alkoolit, pasi tregon se në mëngjes kishte konsumuar një gotë birrë.

Më tej ai shton se makinë i preu rrugën, për të devijuar, sipas tij ai ka hyrë në trotuar, ku dhe po luanin 3 të miturit. Megjithatë sipas autorit të aksidentit tragjik, nuk ka qenë me shpejtësi, por me 30 km/h, shkruan Abcnews.al.

Nikollë Rradaçi: Rreth orës 14.00 ka dalë nga shtëpia bashke me mjetin me targa AB 909 PC dhe do shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat.

Pyetje: Ju pretendoni që një automjet ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje më këtë automjet?

Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.

Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?

Përgjigje: Jo nuk i njoh.

Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?

Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.

Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?

Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.

Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?

Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.