Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se e ka pranuar planin e Iranit dhe se do t’a shqyrtojë atë, por sipas tij, s’beson të jetë i pranueshëm pasi ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të madh për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit.
“Së shpejti do ta shqyrtoj planin që Irani sapo na ka dërguar, por nuk mund ta imagjinoj që do të jetë i pranueshëm, pasi ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të madh për atë që i kanë bërë njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje!”, tha ai në X.
Sipas Tasnim News Agency, kërkesat e Iranit mbeten këto: përfundimi i bllokadës detare, garanci kundër veprimeve ushtarake, largimi i forcave amerikane nga periferia e tij, lirimi i aseteve të ngrira, reparacione, heqje e plotë e sanksioneve dhe ndalimi i luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, si dhe një mekanizëm i ri për Ngushticën e Hormuzit.
Irani gjithashtu pretendon se SHBA-ja ka propozuar një armëpushim 2-mujor, por këmbëngul që gjithçka të zgjidhet brenda 30 ditëve, duke synuar përfundimin e plotë të luftës dhe jo zgjatjen e një armëpushimi të përkohshëm.
