Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin nga detyra të drejtorit të Prokurimit të Policisë së Kosovës, ndaj të cilit po zhvillohet një hetim paraprak nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikt interesi në proceset e prokurimit publik.
Sipas njoftimit të IPK-së, hetimi përfshin rrethana që ndërlidhen me dhjetëra kontrata të prokurimit, të realizuara përmes procedurave të negociuara dhe konfidenciale.
Hetuesit janë duke shqyrtuar mënyrën e zhvillimit të këtyre procedurave, vendimmarrjen, si dhe respektimin e kritereve dhe detyrimeve ligjore nga personat përgjegjës.
IPK ka bërë të ditur se rekomandimi për suspendimin e zyrtarit i është drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me qëllim të garantimit të integritetit dhe mbarëvajtjes së procesit hetimor deri në përfundimin e hetimit penal.
Ndërkohë, IPK, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të ndriçuar plotësisht dyshimet në këtë rast.
Deri më tani, IPK nuk ka bërë të ditur detaje të tjera lidhur me rastin.
