Kosovë Lajme Politikë

Koalicione apo të vetme në garë? KQZ cakton afatin për partitë politike

Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Partitë politike janë të obliguara që ta njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje përmes koalicionit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar, se njoftimi i pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në zgjedhje është obligim vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara dhe aktive në Kosovë.

Po ashtu, Elezi tregoi se deri më 7 maj, partitë politike kosovare kanë afat që të njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit. Ai kujtoi se ligji ka bërë disa rregullime se për të drejtat dhe detyrimet e partive politike kur hyjnë në koalicion.

Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Ndërkaq, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën në fund të dhjetorit, garuan 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike 3 koalicione; 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.