Kosovë Lajme Shëndetësi

Kosova pa reagim për skandalin me ushqimin për foshnje HiPP, shtetet e BE’së marrin masa emergjente

Skandali me ushqimin për foshnje të markës HiPP ka nxjerrë në pah dallime të mëdha në reagimin institucional mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Kosovës, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si trajtohen rreziqet që lidhen me sigurinë ushqimore.

Shtetet e Bashkimit Evropian, përfshirë Austrinë, Republikën e Çekisë dhe Sllovakinë, ndërmorën masa të menjëhershme pasi u identifikuan kavanoza me ushqim për foshnje të kontaminuar me helm për minj. Institucionet përgjegjëse në këto vende nisën hetime, duke konstatuar se kontaminimi nuk kishte ndodhur në procesin e prodhimit, por si rezultat i ndërhyrjes së jashtme nga persona të panjohur.

Përveç hetimeve, autoritetet njoftuan qytetarët për rrezikun dhe kërkuan që produktet e dyshuara të mos konsumohen, ndërsa ato u tërhoqën nga tregu.

Në të njëjtën kohë, në Kosovë nuk është regjistruar ndonjë njoftim publik nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë lidhur me këtë rast, pavarësisht se informacioni për rrezikun ka qenë i shpërndarë në nivel evropian.

Ky institucion, sipas Ligjit për Ushqimin, ka obligim që të informojë publikun në rastet kur ekziston rrezik potencial nga produktet ushqimore.

Neni 37 i Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim përcakton qartë se autoriteti kompetent duhet të njoftojë qytetarët kur pranon informacione për rreziqe të mundshme në ushqim.

Për këtë çështje Periskopi ka dërguar pyetje zyrtare drejt Agjencisë për të sqaruar nëse janë ndërmarrë masa konkrete, por nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Po ashtu,  Periskopi  ka kërkuar sqarim edhe nga Policia e Kosovës nëse ka pasur ndonjë kërkesë për hetime nga institucionet përgjegjëse, ndërsa nga ky institutcion nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë, në vendet e Bashkimit Evropian, përveç njoftimeve për rrezikun, janë dhënë edhe udhëzime konkrete për qytetarët se si të identifikojnë produktet e dyshuara. Autoritetet kanë sqaruar se kavanozat e kontaminuar mund të dallohen nga dëmtimi i kapakut dhe mungesa e tingullit karakteristik gjatë hapjes, që zakonisht tregon se produkti nuk është manipuluar. Gjithashtu, është rekomanduar që përmbajtja të nuhatet dhe të mos përdoret në asnjë rast nëse ka dyshime për sigurinë e saj.

Sipas raportimeve të publikuara në mediat evropiane, rasti lidhet me një tentativë shantazhi ndaj prodhuesit, ku persona të panjohur kanë kontaminuar disa produkte dhe më pas kanë kërkuar përfitime financiare. Hetimet janë përqendruar në disa lokacione, përfshirë Austrinë, Çekinë dhe Sllovakinë, ku janë gjetur disa kavanoza të dyshuara.

Rastet e tilla nuk janë të panjohura në Evropë. Në të kaluarën janë regjistruar incidente të ngjashme, ku produkte për foshnje janë manipuluar me substanca të rrezikshme si pjesë e përpjekjeve për shantazh. Këto raste kanë çuar në forcimin e standardeve të sigurisë në industrinë ushqimore, përfshirë përdorimin e mekanizmave mbrojtës në paketim dhe gjurmimin e produkteve përmes numrave serikë.